Tragjedia e familjes Kola në Itali/ Xhaxhai hap GoFundMe për kthimin e trupave në Shqipëri
Dritare.net

Pas tragjedisë që tronditi zonën e Porcarit në provincën e Luccës dhe komunitetin shqiptar në Itali, ku familja Kola humbi jetën nga helmimi me monoksid karboni në banesën e saj mbrëmjen e 4 shkurtit, është nisur një fushatë solidariteti për të ndihmuar familjarët e viktimave.
Nisma është ndërmarrë në platformën GoFundMe nga Durim Kola, vëllai i Artit Kola. Ky i fundit ishte personi që gjeti trupat e pajetë në banesë dhe përfundoi vetë në spital për shkak të ekspozimit ndaj gazrave toksikë, por tashmë ndodhet jashtë rrezikut.
Sipas thirrjes së publikuar, fondet do të përdoren për të përballuar shpenzimet e ceremonive mortore dhe transportimin e trupave drejt Shqipërisë, ku familja dëshiron të zhvillojë funeralet. Çdo shumë që do të mbetet pas mbulimit të këtyre kostove do të shkojë në mbështetje të të afërmve të viktimave.
“Jam Durim Kola. Po mbledh fonde për humbjen e familjes së vëllait tim, të cilët humbën jetën si pasojë e një aksidenti të shkaktuar nga kaldaja e gazit në Porcari, në provincën e Luccës. Fondet do të përdoren për shpenzimet e varrimit dhe për transportin e trupave në Shqipëri, ku do të zhvillohen edhe funeralet. Shumat që do të mbeten do të shërbejnë për të ndihmuar familjet e tyre. Ju falënderoj nga zemra për ndihmën”, thuhet në thirrje./K.C/dritare.net