
Të vërtetat e vilave të Arben Ahmetajt. Flet Adriatik Doçi!
Dritare.net
Gazetari Adriatik Doçi ka treguar disa të vërteta në lidhje me vilat e Arben Ahmetajt në Hamallaj dhe Palasë. I ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, Doçi tha:
"Vila në Hamallaj dhe vila në Palasë nuk do të thotë domosdoshmërish që janë para që kanë ardhur nga inceneratorët. Arben Ahmetaj nuk ka marrë para vetëm nga inceneratorët. Ka marrë një pjesë. Por është përfshirë në afera të tjera të dyshuara korruptive. Por SPAK-u ka konstatuar që aty ka pastrim parash sepse kanë futur para që nuk u dihet burimi ose janë manipuluar investimet.
-Vila në Hamallaj del sërish Klodian Zoto, që është pronari në letra i inceneratorëve. Klod Zoto porosit blerjen e një vile. Kjo vilë kalon në emrin e Gerjan Kukes që është i lidhur me Arben Ahmetajn. Gerjan Kuke e kalon në emër të Erjola Hoxhës që është bashkëjetuesja e Ahmetajt. Vila që mund të kushtojë mbi 1 milion euro, ka kaluar për 220 milionë lekë. Ku i mori paratë që bëri vilën? Ahmetaj thotë se prindërit e Eriola Hoxhës kanë blerë një apartament 45 mijë euro. Befas shfaqet Artan Gjokaj që është një bankomat tjetër i Arben Ahmetajt. Kësaj shtëpie i bën një rivlerësim dhe e bën 129 mijë euro dhe Artan Gjoka ia blen prindërve të Hoxhës dhe me këto para Erjola Hoxha deklaron dhe 90 mijë euro që i ka kursyer dhe blen vilën. SPAK-u dyshon se vila është një pronë e Klodian Zotos dhe ka kaluar në emrin e Ahmetajt.
Vila në Palasë- Ahmetaj ka deklaruar që kjo vilë ështe e Elda Dinajt që është shoqe e ish-bashkëshortes së tij Albina Mançka dhe SPAK-u këtu ka konstatuar që ky është një tjetër marifet, pra që nuk ka lidhje me këtë lloj pasurise, sepse janë detaje të pafundme që kanë rezultuar gjatë hetimit të SPAK-ut. Edhe dhomave janë vendosur emrat e fëmijëve të Ahmetajt. Është marrë pastruesja e Arben Ahmetajt nga Tirana dhe ka shkuar te vila në Palasë. Gjithë familja e Ahmetajt është zhvendosur në Palasë duke monitoruar punimet. Është kontraktuar një kompani me Klodian Zoton për të bërë punime. Të gjitha pagesat janë bërë nga Albina Mançka. Pra ka fakte që konfirmojnë që kjo vilë është pasuri e fshehur e Arben Ahmetajt, e kamufluar me shoqen e tij në Zvicër.", tha Doçi në DritareTV./K.C/dritare.net

















