
Ndeshja kundër Serbisë në Tiranë, Sylvinho: Nesër lëmë shpirtin për tri pikët
Dritare.net
Atmosfera është elektrizuese në prag të ndeshjes së shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë, që do të luhet nesër në stadiumin “Air Albania”. Në konferencën për shtyp, trajneri Sylvinho dhe kapiteni Berat Gjimshiti dhanë një mesazh të qartë: ekipi është i përgatitur, i motivuar dhe do të japë gjithçka për të marrë tri pikët në këtë sfidë historike.
Trajneri brazilian i Kombëtares shqiptare u shpreh i emocionuar dhe i vendosur:
“Nesër është një ndeshje e rëndësishme jo vetëm për pikët, por për krenarinë. Ne do të lëmë shpirtin në fushë për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit,” – deklaroi ai.
I pyetur për atmosferën dhe emocionet personale, Sylvinho u shpreh:
“Doja shumë të sillja babanë tim nga Brazili që të ndiente këtë moment, këtë atmosferë të jashtëzakonshme në Tiranë. Fatkeqësisht nuk ishte e mundur, por e ndjej që është me mua shpirtërisht.”
Trajneri vlerësoi edhe kundërshtarin, por theksoi se Shqipëria ka besim dhe karakter për të përballuar çdo sfidë.
“Serbia është ekip me cilësi, por ne jemi të bashkuar, jemi të uritur për sukses,” tha ai.
Kapiteni i kuqezinjve, Berat Gjimshiti, foli me vendosmëri dhe maturi, duke theksuar se në fushë do të flasin faktet:
“E dimë çfarë do të thotë kjo ndeshje për tifozët tanë. Do të jetë një ndeshje e fortë, por ne do të tregojmë në fushë sa vlejmë dhe kush jemi. Nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, puna do të flasë vetë.”
Qendërmbrojtësi theksoi se ekipi është i fokusuar, i qetë dhe i gatshëm për të dhënë maksimumin, duke kërkuar përkrahjen e zjarrtë të tifozëve shqiptarë.
Ndeshje me ngarkesë të lartë emocionale dhe historike
Ndeshja Shqipëri–Serbi mbart jo vetëm rëndësi sportive, por edhe një ngarkesë të veçantë emocionale dhe historike për të dy vendet. Autoritetet shqiptare kanë marrë masa të shtuara sigurie, ndërsa tifozët pritet të krijojnë një atmosferë të jashtëzakonshme në tribunat e stadiumit.
Shqipëria është aktualisht në një moment të mirë sportiv dhe me fitoren në këtë sfidë, do të hidhte një hap të rëndësishëm drejt objektivave të mëdha në arenën ndërkombëtare./L.F-dritare.net

















