Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Spiropali: Nuk ka pezullim të vizave për shqiptarët drejt SHBA-së, pretendimet trillime politike

Spiropali: Nuk ka pezullim të vizave për shqiptarët drejt

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka sqaruar vendimin e fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me vizat për Shqipërinë, duke hedhur poshtë pretendimet për pezullim apo bllokim të lëvizjes së qytetarëve shqiptarë drejt SHBA-së.

Në një reagim publik, Spiropali tha se ka ndjekur me vëmendje valën e deklaratave dhe interpretimeve të pabazuara që, sipas saj, po përhapen nga qarqe të caktuara politike në Tiranë, duke pretenduar se SHBA ka futur Shqipërinë në një “listë të zezë”.

“Këto janë pretendime tërësisht të pavërteta dhe të paimagjinueshme. Partnerët tanë historikë dhe strategjikë nuk kanë bllokuar vizat për shqiptarët dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë masë ndëshkuese ndaj Shqipërisë,” theksoi ministrja.

Spiropali sqaroi se vendimi i fundit i autoriteteve amerikane nuk prek lëvizjen e qytetarëve shqiptarë drejt SHBA-së, duke nënvizuar se vizat për qëllime turistike, studimi, biznesi, vizita familjare apo pune vazhdojnë normalisht.

“Askush nuk ndalohet të udhëtojë drejt SHBA-së. Nuk ka asnjë bllokim të vizave për shqiptarët,” deklaroi ajo.

Sipas ministres, ndryshimet e paralajmëruara lidhen vetëm me rregullat e qëndrimit në SHBA, të cilat po rishikohen në kuadër të politikave të përgjithshme amerikane të emigracionit dhe nuk kanë si objektiv të veçantë Shqipërinë.

“Ajo për të cilën bëhet fjalë është një shqyrtim më i gjerë i procesimit të vizave me qëllim emigrimi, që përfshin rreth 75 vende dhe nuk është një vendim që targeton Shqipërinë,” sqaroi Spiropali.

Në përfundim, ministrja e Jashtme theksoi se Shqipëria sot gëzon vlerësim të lartë ndërkombëtar dhe është më aktive se kurrë në arenën ndërkombëtare, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e dezinformatave dhe keqinterpretimeve politike./L.F-dritare.net