Na ndiqni edhe në

Bota

Chiara Ferragni shpallet e pafajshme: Makthi mbaroi

Chiara Ferragni shpallet e pafajshme: Makthi mbaroi

Influencerja italiane, Chiara Ferragni, është shpallur e pafajshme në çështjet e njohura si “Pandoro Pink Christmas” dhe vezët e Pashkëve, që kishin shkaktuar debat të gjerë publik në Itali.

Vendimi u mor nga gjyqtari i seksionit të tretë penal të Gjykatës së Milanos, Ilio Mannucci Pacini, i cili nuk pranoi akuzën për mashtrim të rënduar ndaj Ferragnit, raporton agjencia italiane e lajmeve Ansa.

Ferragni akuzohej se kishte publikuar në rrjetet sociale mesazhe potencialisht mashtruese, duke lënë të kuptohej se një pjesë e të ardhurave nga shitja e produkteve do të përdorej për qëllime bamirësie. Megjithatë, gjykata nuk e njohu rrethanën rënduese të “mbrojtjes së kufizuar” të konsumatorëve online, një element kyç që do ta kishte bërë veprën penale të ndiqej edhe pa kallëzim.

Si pasojë, duke qenë se shoqata e konsumatorëve Codacons kishte tërhequr kallëzimin rreth një vit më parë pas një marrëveshjeje dëmshpërblyese me influenceren, gjyqtari vendosi pushimin e çështjes për shkak të shuarjes së veprës penale, e riformuluar më pas si mashtrim i thjeshtë. I njëjti vendim u aplikua edhe për bashkëpandehësit: Fabio Damato, ish-bashkëpunëtor i ngushtë i Ferragnit, dhe Francesco Cannillo, president i kompanisë Cerealitalia.

Pas shpalljes së vendimit, Chiara Ferragni, dukshëm e emocionuar, foli shkurtimisht për mediat jashtë sallës së gjyqit: “Makthi mbaroi. Jemi të gjithë shumë të prekur. Falënderoj të gjithë, avokatët e mi dhe ndjekësit e mi”./K.C/dritare.net