Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

SPAK kërkon 10 vite burg për Evis Berberin

SPAK kërkon 10 vite burg për Evis Berberin

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë pretencën për 21 të pandehurit e dosjes së Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), të akuzuar për një sërë veprash penale, përfshirë shkelje të barazisë në tenderë, korrupsion pasiv, mashtrim me pasoja të rënda dhe falsifikim dokumentesh.

Për ish-drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberi, i arrestuar në vitin 2024 dhe i dyshuar për përfshirje në afera korruptive me vlerë rreth 15 milionë euro, SPAK kërkoi dënimin me 10 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi zbret në 6 vite e 8 muaj heqje lirie, si dhe ndalimin për 5 vite nga ushtrimi i funksioneve publike.

Po ashtu, Prokuroria kërkoi konfiskimin e shumave monetare të sekuestruara gjatë kontrolleve, konkretisht 15 mijë euro, 35 mijë paund dhe 1 milion lekë.

Sipas SPAK, Berberi ka qenë pronar faktik i kompanisë “DAAM” shpk, e cila ka përfituar tenderë gjatë kohës që ai mbante poste drejtuese në institucionet publike. Hetimet zbuluan se përmes kompanisë “Net Group”, në pronësi të Valter Begajt, janë devijuar fonde drejt “DAAM”, e cila dyshohet se kontrollohej indirekt nga vetë Berberi.

Ndërkohë, Berberi është i pandehur edhe në një tjetër çështje së bashku me ish-zv.kryeministren Belinda Balluku, lidhur me tenderin prej 190 milionë euro për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë.

Për dy ish-vartësit e Ballukut, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, SPAK kërkoi dënimin me nga 1 vit e 6 muaj burg për shkelje të barazisë në tenderë, që me gjykim të shkurtuar zbret në 1 vit burg, si dhe ndalimin për 3 vite nga funksionet publike.

Për të pandehurit Ervis Lami dhe Brunilda Buli, u kërkua dënimi me 7 vite e 6 muaj burg, i reduktuar në 5 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Megjithatë, duke qenë se kanë bashkëpunuar me drejtësinë, SPAK kërkoi pezullimin e dënimit dhe zëvendësimin e tij me 4 vite shërbim prove.

Çështja pritet të shqyrtohet nga gjykata, e cila do të japë vendimin përfundimtar për të pandehurit./L.F-dritare.net