Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Sot seanca për ndryshimin e masës së sigurisë. Veliaj kërkon lirinë!

Sot seanca për ndryshimin e masës së sigurisë. Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, do të dalë sot para Gjykatës së Apelit të Posaçëm me kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë “Arrest me burg”.

Seanca pritet të zhvillohet në orën 14:00, me gjyqtar Engert Pëllumbi. Veliaj, përmes avokatëve të tij, ka kërkuar një masë më të butë sigurie, duke ofruar si alternativë një garanci pasurore, pa përcaktuar një shumë të saktë, duke ia lënë vlerësimin gjykatës.

Veliaj ndodhet në burgun e Durrësit që prej datës 10 shkurt, pasi po hetohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 episode dhe pastrim parash. Ai u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme dhe që prej asaj kohe ka kërkuar disa herë lirimin nga paraburgimi, pa sukses.

Seanca e sotme në Apel vjen pas ankimit të vendimit të 23 prillit, kur gjyqtari Erion Bani vendosi të vijojë masën e sigurisë, duke pranuar raportin periodik të SPAK mbi ecurinë e hetimeve. Këtë vendim Veliaj e ka ankimuar përmes avokatëve, të cilët insistojnë se nuk ekzistojnë më kushtet për mbajtjen në burg.

Paralelisht, kryebashkiaku ka dërguar rekurs edhe në Gjykatën e Lartë kundër masës së sigurisë, por ende nuk është caktuar data e shqyrtimit apo trupa gjykuese që do ta shqyrtojë çështjen.

Veliaj, një nga figurat më të spikatura të Partisë Socialiste dhe drejtues i bashkisë së kryeqytetit që prej vitit 2015, përballet për herë të parë me drejtësinë për akuza të rënda që lidhen me ushtrimin e funksioneve publike.

SPAK vijon hetimet për të dokumentuar rrjedhën e parave të dyshuara si të përfituara nga korrupsioni dhe lidhjet me kontrata të dyshimta që dyshohet se janë përdorur për pastrim të tyre.

Për momentin, mbrojtja e Veliajt ka kërkuar që ai të mbrohet në gjendje të lirë ose nën një masë tjetër më të lehtë, përfshirë “Arrest shtëpie” apo “Detyrim paraqitjeje”. Nëse Apeli nuk ndryshon masën, Veliaj do të mbetet në qeli në pritje të një vendimi tjetër, këtë herë nga Gjykata e Lartë, e cila do të duhet të shqyrtojë rekursin e bërë për të njëjtën çështje./E.P-dritare.net