Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Mbahet në Vlorë Konferenca e Kryetarëve të Gjykatave të Larta!

Mbahet në Vlorë Konferenca e Kryetarëve të Gjykatave të

Gjykata e Lartë e Shqipërisë, në bashkëpunim me CEELI Institute, organizon në datat 9-10 qershor në Vlorë Konferencën e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore. Të pranishëm në Konferencë janë presidenti Bajram Begaj, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, si dhe mbi 20 kryetarë dhe gjyqtarë të lartë nga Evropa Qendrore dhe Lindore.

Fjalën hapëse e mbajti Kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, i cili u shpreh se kjo konferencë zhvillohet në një kohë kur gjyqësori po përballet me sfida kudo, ndaj rëndësia e dialogut ndërgjyqësor bëhet më e madhe.

“Kjo konferencë zhvillohet në një kohë kur gjyqësori, kudo, përballet me sfida që nuk njohin kufij kombëtarë: nga ndikimi i teknologjisë e globalizimit të çështjeve juridike, deri te rreziqet e dezinformimit dhe ndërhyrjet në gjyqësor. Çdo konflikt, pavarësisht qëllimit, përfundon në dyert e gjykatave. Për këtë arsye, rëndësia e dialogut ndërgjyqësor bëhet edhe më e madhe. Vetëm përmes komunikimit të hapur, shkëmbimit të praktikave më të mira dhe ndarjes së përvojave konkrete mund të identifikojmë problemet e përbashkëta që na shqetësojnë si rajon dhe të gjejmë zgjidhje të qëndrueshme, të bazuara mbi parime të përbashkëta të drejtësisë.”, u shpreh ai.

Sadushi theksoi se mesazhi kryesor që përcjellin përmes kësaj konference është se “ drejtësia e vërtetë lind dhe zhvillohet në frymën e bashkëpunimit, përkushtimit ndaj ligjit dhe respektimit të dinjitetit të çdo individi. Pikërisht me këtë frymë ndërtojmë ura besimi dhe bashkëpunimi mes gjykatave tona.”

I pranishëm në konferencë është edhe presidenti Bajram Begaj dhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja. Presidenti Begaj tha se Shqipëruia po ndërmerr hapa të shpejtë për anëtarësimin në BE, gjë që kërkon angazhimin maksimal të gjyqësorit.

"Transparenca dhe llogaridhënia janë dy parimet themelore që garantojnë drejtësinë, besueshmërinë dhe efektivitetin e sistemit gjyqësor. Ato janë ana tjetër e medaljes së pavarësisë së gjyqësorit dhe të dyja së bashku garantojnë standardet e drejtësisë.

Në një shtet të së drejtës, sigurimi i aksesit të plotë, të lirë dhe të barabartë të qytetarëve në drejtësi mbetet thelbësore në mënyrë që drejtësia të mos jetë një privilegj, por e drejtë e gjithkujt.", shprehet Begaj.

Ndërkohë ministri Manja vuri theksin te besimi i publikut te gjyqësori te reforma në drejtësi.

“Shqipëria ka marrë investimin më të madh për menaxhimin digjital të sistemit të drejtësisë. Ky investim siguron që sistemi i drejtësisë të jetë nga më modernët dhe të aksesojë në kohë reale qytetarët me drejtësinë.”, tha mes të tjerash Manja.