Sot protesta e PD, policia nuk e aprovon: Nuk marrim përsipër!
Dritare.net

Policia e Tiranës thotë se nuk merr përsipër garantimin e zhvillimit të protestës së Sali Berishës, që do të zhvillohet ditën e sotme në orën 18:00 para Kryeministrisë në kryeqytet.
Me përvojën e 3 protestave të kaluara kombëtare të PD-së, 24 janar, 10 shkurt dhe 20 shkurt, me bomba molotovë, gurë e fishekzjarrë, shumica e të cilave shënjestruan uniformat blu, policia nuk e aprovon. Edhe informacionet për këtë protestë, përfshirë dhe thirrjet publike të drejtuesve të PD-së, janë sërish për dhunë.
Megjithatë, ligji për “tubimet” e detyron policinë që të marrë masa për garantimin e sigurisë dhe rendit, kur ka informacion se po bëhet një tubim. Dhe për aq kohë sa në shesh ngrihet një podium dhe ka informacione se mund të ketë dhunë, policia thotë se ndonëse nuk e mori përsipër zhvillimin e protestës, “ka ndërmarrë të gjitha masat me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, në rast se do të zhvillohet tubimi.” Pra, efektivët e policisë do të jenë në terren njëjtë si protestat e kaluara, por nëse ka akte dhune dhe bllokime rrugësh, përgjegjës do të jenë drejtpërdrejtë organizatorët e protestës.
Njoftimi i plotë i policisë:
Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, më datë 28.02.2026, në orën 18:00, para Kryeministrisë.
Nisur nga incidentet e ndodhura gjatë tubimit të mëparshëm, ku u evidentuan akte dhune dhe përdorim i mjeteve të rrezikshme ndaj punonjësve të Policisë, pjesëmarrja e personave të maskuar dhe përdorimi i të miturve në tubim, si dhe nga informacionet e siguruara mbi mundësinë e përsëritjes së veprimeve të tilla, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje subjektit politik se nuk merr përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit.
Pavarësisht përgjigjes së kthyer, Policia e Tiranës, në përmbushje të detyrave funksionale, ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në qytetin e Tiranës, mbrojtjen e institucioneve shtetërore, si dhe për lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve, në rast se tubimi do të zhvillohet.
Policia e Tiranës apelon për qytetarët që, nëse ndeshen me veprime të dhunshme, të distancohen dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri që konstatojnë.