Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Situata në Librazhd-Prrenjas! Flet gazetari nga terreni!

Situata në Librazhd-Prrenjas! Flet gazetari nga terreni!

Gazetari Fatmir Popja, në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Intervista e Ditës” në Dritare TV, bëri të ditur se gjatë ditës së sotme është vënë re një stabilizim relativ i fenomenit në aksin Librazhd-Përrenjas, ndërsa kanë nisur punimet me kapacitet të plotë për çmontimin e urës së dëmtuar, si edhe ndërhyrjet për demontimin e një shtylle të tensionit të lartë në zonë.

Sipas informacioneve nga terreni, po punohet edhe për devijimin e rrjedhës së lumit Shkumbin, proces që pritet t’i hapë rrugë ndërtimit të një segmenti të ri rrugor 1.3 km, i cili nuk do të jetë një zgjidhje e përkohshme, por pjesë e një rruge me standarde dhe funksion afatgjatë.

Ndërkohë, për shkak të bllokimit 5-ditorë të aksit Librazhd-Prrenjas , qarkullimi po orientohet në rrugë alternative dytësore, por këto segmente për shkak të terrenit dhe fluksit të shtuar po e bëjnë lëvizjen të vështirë dhe të ngadaltë. Popja theksoi se pasojat ndihen jo vetëm në transport, por edhe në shërbimet emergjente, si dhe në jetën e përditshme të qytetarëve që duhet të udhëtojnë më gjatë dhe me kosto më të larta.

Në terren kanë qenë edhe grupe gjeologësh për matje dhe vlerësime, me synim që zgjidhja e re të jetë sa më e qëndrueshme dhe të shmangen surpriza të tjera në këtë zonë me problematika të theksuara gjeologjike./E.P/dritare.net