Shqipëria prezantohet në FITUR Madrid, Gonxhja: Synojmë turizëm gjithëvjetor
Dritare.net

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, çeli zyrtarisht pavijonin e Shqipërisë në panairin ndërkombëtar të turizmit FITUR 2026 në Madrid, me konceptin “Albania All Senses”, duke theksuar vizionin për një turizëm gjithëvjetor, të larmishëm dhe të qëndrueshëm.
Në fjalën e tij, ministri u shpreh se Shqipëria prezantohet në FITUR me një përfaqësim të gjerë, ku përfshihen agjenci turistike, tour operatorë, artistë, përfaqësues të bashkive, shoqata, si dhe institucione kyçe si Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe Agjencia e Bregdetit.
Gonxhja theksoi se turizmi shqiptar nuk duhet të kufizohet vetëm te plazhi dhe sezoni veror, por të shtrihet në turizmin e eventeve, kulturës, traditës, folklorit, artizanatit, konferencave dhe spektakleve, duke krijuar destinacione të reja dhe eksperienca autentike për vizitorët.
“Synimi ynë është të kemi një turizëm gjithëvjetor, me më shumë territor dhe më shumë gjeografi, të mbështetur fort edhe nga promovimi digjital dhe virtual,” u shpreh ministri.
Ai vuri theksin te rëndësia e FITUR-it si një nga panairet më të suksesshme në botë për mbylljen e kontratave dhe marrëveshjeve konkrete, që ndihmojnë në planifikimin më të mirë të sezonit turistik. Gonxhja pranoi se aktualisht vetëm rreth 10% e turizmit në Shqipëri është i planifikuar përmes rezervimeve, një shifër që, sipas tij, duhet të rritet ndjeshëm për të garantuar investime më të qëndrueshme dhe optimizim të kapaciteteve hoteliere.
Ministri bëri të ditur se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe turizmit dimëror, turizmit të konferencave dhe retrateve të organizatave, për të rritur përdorimin e strukturave akomoduese gjatë gjithë vitit.
Në përfundim, Gonxhja ftoi vizitorët dhe partnerët ndërkombëtarë të zbulojnë Shqipërinë si një destinacion autentik dhe në rritje, duke shprehur besimin se puna në FITUR do të kontribuojë në një sezon turistik 2026 më të mirin ndonjëherë./L.F-dritare.net