Shqiperia në Biennalen e Artit në Venecia, si territor pyetjesh, kujtese dhe transformimi!
Dritare.net

Në Bienalen e Venecias 2026, Shqipëria prezantohet me projektin “A Place in the Sun” të artistit Genti Korini një vepër që nuk kërkon të japë përgjigje të qarta, por të hapë pyetje mbi identitetin, të panjohurën dhe mënyrën si shohim tjetrin dhe veten.

Kuratorët e përshkruajnë projektin si një reflektim mbi “mekanizmat e tjetërsimit dhe çbërjes së tij”, përmes rastit shqiptar dhe perspektivës së “shumicës globale”. Në qendër të veprës qëndron pyetja:
“Ku është një vend nën diell dhe çfarë mund të themi për të?”
Një pyetje që tingëllon poetike, por që fsheh brenda saj historinë e vendeve të vogla, të parë shpesh nga jashtë me frikë, ekzotizëm apo keqkuptim. Projekti pyet gjithashtu:
A na tërheq apo na tremb më shumë sot e panjohura?
Si e kanë parë Shqipërinë udhëtarët europianë?
Dhe si mund ta dekolonizojë arti vështrimin tonë?
Instalacioni ndërthur video, performancë, kukulla, animacion dhe muzikë origjinale për të krijuar një univers ku historia, fantazia dhe ideologjia mbivendosen. Vepra frymëzohet nga “Zaum”, gjuha trans-racionale e avangardës ruse, që kërkonte të çlironte gjuhën nga kuptimet e zakonshme dhe të krijonte forma të reja perceptimi.
Por ndoshta më interesante është lidhja e pavijonit shqiptar me temën qendrore të Bienales së këtij viti: “In Minor Keys”, kuruar nga Koyo Kouoh.
Në manifestin kuratorial shkruhet:
“Muzika vazhdon.
Këngët e atyre që krijojnë bukuri pavarësisht tragjedisë.
Meloditë e të arratisurve që rimëkëmben nga rrënojat.
Harmonitë e atyre që riparojnë plagë dhe botë.”
“Minor keys” nuk flasin për spektakël apo zhurmë. Ato jetojnë “në tonet e qeta, frekuencat më të ulëta, murmurimat, ngushëllimet e poezisë”. Janë hapësirat intime të njerëzve që vazhdojnë të krijojnë, të mbijetojnë dhe të ndërtojnë marrëdhënie edhe në kohë të vështira.
Në këtë frymë, edhe “A Place in the Sun” duket se lëviz në një “minor keys”: jo si deklaratë e madhe politike, por si një gjendje poetike dhe e pasigurt, ku Shqipëria nuk paraqitet si imazh turistik apo slogan kombëtar, por si një territor pyetjesh, kujtese dhe transformimi.
Bienalja e Venecias 2026 duket se kërkon më pak zhurmë dhe më shumë dëgjim.
“Merr frymë thellë.
Nxirre frymën.
Lësho supet.
Mbylli sytë.”
Dhe ndoshta aty fillon edhe arti./ dritare.net