
Shpërthimi me tritol në Elbasan, arrestohet pronari i banesës dhe nipi i tij
Dritare.net
Policia e Elbasanit ka vënë në pranga dy persona në lidhje me shpërthimin në një apartament në qytetin e Elbasanit.
Burime nga policia bëjnë të ditur se është arrestuar në tentativë për t’u larguar drejt Greqisë pronari i apartamentit ku ndodhi shpërthimi, 43-vjeçari Arbër Pepa.
Ai dyshohet nga hetuesit se inskenoi shpërthimin me tritol në apartamentin e tij në qytetin e Elbasanit.
Përveç pronarit të apartamentit, policia ka arrestuar edhe nipin e tij, 18-vjeçarin E. T., pasi dyshon se të dy kanë organizuar vendosjen dhe më pas shpërthimin e eksplozivit në banesën e Pepës.
Nga burime policore thuhet se ka dyshime se vendosja e lëndës plasëse është bërë me qëllim që ngjarja të përdorej si arsye për të përfituar azil në vendet e BE-së.
Ata u arrestuan nën akuzat për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Arbër Pepa, i cili banonte në apartamentin ku ndodhi shpërthimi gjatë mbrëmjes së të mërkurës në Elbasan, u arrestua teksa tentoi të kalonte kufirin drejt Greqisë, së bashku me gruan dhe fëmijën ndërsa nipi i tij u kap në qytetin e Elbasanit.

















