
Kontrata e lobimit të PD-së. Avokat Edmond Petraj: Do ndërhyjë FBI-ja
Dritare.net
Avokati Edmond Petraj i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV foli për kontratën 6 milionë dollarëshe të PD-së, për të lobuar në SHBA që t’i hiqet non-grata Sali Berishës. Avokati tha se kjo kontratë ngre dyshime, pasi nuk është bërë aplikimi, nuk figuron adresa e fondacionit. Me këto dyshime që janë ngritur, ekziston mundësia që të ndërhyjë edhe FBI-ja, tha avokati.
“Shifra është shumë e lartë, është një bingo e bërë nga studioja amerikane. Jo çdo studio ka te drejtën e lobimit me licencimin në Shtetet e Bashkuara. Por 6 milionë dollarë është një shifër e pajustifikueshme, aq më tepër që kemi një fshehje të dokumentacionit. Po të hysh sot te DASH, te Departamenti i Drejtësisë, te seksioni FARA (Foreign Agents Registration Act) nuk figuron kjo, ishte vetëm Lulzim Basha si pjesë e Euroatlantikëve. Pra bëhet një aplikim, pastaj vjen kontrata, edhe shumë. Ai aplikim që ka dalë në media nuk është dorëzuar ende. Deri tani kemi të bëjmë vetëm me një marrëdhënie mes palëve. Por kjo është më e rëndë. Nëse kemi dy muaj që është bërë kontrata, atëherë është një autogol i jashtëzakonshëm që ka bërë Berisha. E para sepse nuk është deklaruar aplikimi, e dyta nëse shohim formularin e aplikimit ka defekte. Duket e pabesueshme, po ka dyshime edhe për fondacionin që është garantoi i shumës, që është shifër shumë e lartë. Fondacioni u krijua një javë para se të bëhej kontrata. Selia e fonacionit nuk figuron, del e shitur. Flamur Noka, që nënshkruan kontratën e lobimit, shkruan për koalicionin e “Shqipërisë Madhështore”, kohën që ka firmosur këtë kontratë në atë kohë ai ka pasur koalicion me 25 parti, por disa prej tyre janë larguar. Këto janë elemente teknike që nuk falen dhe kanë ngritur dyshime. Edhe po ngrite dyshime në SHBA, FBI-ja nuk të fal sepse ata merren me sanksionin e korrupsionit. Ata nuk të kursejnë.”, tha zoti Petraj në DritareTV./K.C/dritare.net

















