
Shpallet fituesi i garës ndërkombëtare për “Parkun e Besimit” në Tiranë
Dritare.net
Është shpallur fituesi i garës ndërkombëtare për “Parkun e Besimit” (Faith Park), një projekt që synon të kthejë harmoninë ndërfetare në një eksperiencë të prekshme, përmes natyrës. Në ceremoninë përmbyllëse të garës ndërkombëtare për projektin Parku i Besimit (Faith Park) në Tiranë, është shpallur fituese studioja ndërkombëtare BIG – Bjarke Ingels Group, mes 12 finalistëve nga vende të ndryshme si Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Danimarka, Gjermania, Spanja, Meksika, Belgjika, Holanda dhe Italia.
Parku i Besimit do të ndërtohet mbi idenë e bashkëjetesës dhe dialogut ndërfetar, duke u frymëzuar nga elementët simbolikë të përbashkët të feve të mëdha, të shprehur përmes pemëve, frutave dhe luleve të përmendura në shkrimet e shenjta. Ky projekt do të shërbejë si një pikë takimi për reflektim, qetësi dhe ndërveprim kulturor, duke i dhënë qytetit të Tiranës një dimension të ri shpirtëror dhe estetik.
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në shpalljen e fituesit, theksoi rëndësinë e projekteve të tilla që nxisin bashkëjetesën dhe frymën qytetare: “Do të doja të kishim mundësi për më shumë parqe të tilla.” Parku i Besimit vjen si një tjetër dëshmi e përkushtimit të Shqipërisë për promovimin e harmonisë ndërfetare, një vlerë që vendi ynë e ruan prej shekujsh.
Fjala e Kryeministrit Edi Rama
"Dua të falënderoj nga zemra të gjithë ata që morën pjesë në këtë konkurs. Deri më tani është më kompleksi, është më emocionuesi dhe më i ndërlikuari. Por po kështu ishte një konkurs që gjeti pasqyrim në të gjitha përpjekjet e pjesëmarrësve dhe në mënyrën emocionale të prezantimit të të gjithëve.
Ishte po kështu një kohë nga e cila mësuam shumë të gjithë dhe e them me mjaft përulësi një gjë të tillë sepse kishte shumë gjëra që duheshin diskutuar por po kështu që duheshin mësuar ndërkohë që ndiqnim çdo projekt, ndërkohë që përpiqeshim të gjenim ato që ishin pro dhe kundër për çdo projekt. Në fund ngecëm sepse ishte e vështirë që të merrnim një vendim, jo se ishim të ndarë si anëtarë jurie por se dhe vet brenda vetes ishim të ndarë. Doja të merrja mendimet e disave prej jush që nuk ishin pjese e konkursit e as të jurisë dhe prapë gjeta dilema por njeri duhet të fitonte. Nuk është se s’jemi të bindur, jemi mjaft të bindur por në të njëjtën kohë do të doja që të mundeshim të bënim më shumë parqe në këtë mënyrë.
Ajo çfarë të gjithë keni sjellë dhe na keni ofruar është e jashtëzakonshme. Shpresoj fort që do të kremtojmë së bashku çeljen e këtij paru i cili është diçka për të cilën do të jemi shumë krenar. Faleminderit Bjarke, faleminderit Giulia, faleminderit juve dhe faleminderit të gjitha ekipeve që morën pjesë.
Falënderoj vërtete të gjithëve. Një energji e shkëlqyer, një moment i jashtëzakonshëm arkitekture, krijimi peizazhi dhe të menduarit për natyrën dhe është një nga ato momente ku i thua të vërtetës që e gjithë mizerabiliteti që sjell politika në jetët tona vlen të përballohet sepse ka gjëra t tilla në fakt që të ngrenë shpirtin lart dhe me të cilat ndihesh i bekuar
Faleminderit të gjithëve."/dritare.net

















