Seancë maratonë në Kuvend, miratohet akti për uljen e akcizës së naftës
Dritare.net

Pas një dite me debate dhe kërkesa të vazhdueshme nga opozita për interpelanca, kryeministri Edi Rama u paraqit në Kuvend vetëm pas mesnatës për procesin e votimit në seancën maratonë parlamentare.
Me 85 vota pro, Kuvendi miratoi aktin normativ që parashikon uljen e akcizës së naftës në rastet kur çmimi i karburantit kalon mbi 220 lekë për litër. Ndërkohë, mazhoranca socialiste rrëzoi propozimet e opozitës për masa të tjera lehtësuese mbi çmimin e karburanteve.
Partia Demokratike kishte propozuar reduktimin e taksës së qarkullimit, uljen e akcizës së naftës dhe heqjen e akcizës së gazit për industrinë prodhuese “Made in Albania”, por këto nisma nuk morën mbështetjen e shumicës parlamentare.
Gjatë seancës u miratua gjithashtu edhe projektvendimi “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës së Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura (ERRU)”. Projektvendimi kaloi me 84 vota pro, 24 kundër dhe asnjë abstenim.
Kryeministri Rama u largua nga Kuvendi pa marrë pjesë në votimin e këtij projektvendimi.