
RTL Radio: Shqipëria nga Alpet në bregdet, një destinacion që po mahnit Evropën
Dritare.net
Shqipëria po shndërrohet me shpejtësi nga një destinacion i fshehur në një pikë të nxehtë për pushuesit europianë. Në një seri të veçantë për destinacionet alternative të pushimeve, RTL Radio e ka përfshirë Shqipërinë si një nga perlat më tërheqëse të kontinentit, duke theksuar natyrën e saj të paprekur dhe larminë e jashtëzakonshme që ofron në një sipërfaqe të vogël.
Sipas artikullit, pjesa veriore e vendit, veçanërisht rajonet e Valbonës dhe Thethit në Alpet Shqiptare, ofrojnë përvoja unike larg turizmit masiv. E njohur si “Bjeshkët e Nemuna”, kjo zonë kufitare me Kosovën dhe Malin e Zi mahnit me shtigjet e saj malore, fshatrat tradicionale me shtëpi guri, ujërat e kristaltë dhe pamjet panoramike.
RTL e përshkruan Shqipërinë si një vend ideal për të apasionuarit pas natyrës, ecjeve dhe qetësisë. Me nisjen zyrtare të sezonit veror, vendi po tërheq vëmendjen e turistëve që kërkojnë një përvojë autentike, larg rrugëve të zakonshme turistike.
Shqipëria, njëherë destinacion për udhëtarët aventurierë, tashmë po zë vendin e saj në listat e preferuara të pushimeve në Evropë, duke ofruar një kombinim të pazakontë mes maleve të egra dhe brigjeve të mrekullueshme të detit Jon./L.F-dritare.net

















