Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rikard Ljarja: A mos duhet të them “Poshtë Komisari i Dritës”?!

Rikard Ljarja: A mos duhet të them “Poshtë Komisari i

Teksa po shkel ngadalë në pragun e 70 vjetëve, aktori i njohur i skenës Rikard Ljarja ka parë shumë nga bota e artit skenik në Shqipëri. Në fakt ai ka qenë dhe është njëri ndër protagonistët e padiskutueshëm të teatrit e kinematografisë në vendin tonë. Ky përvjetor i Pavarësisë e gjen Rikard Ljarjen sërish në skenë. I morëm këtë intervistë, në atë pak kohë të lirë që kishte, teksa bënte prova me trupën e teatrit “Petro Marko” të Vlorës, për pjesën teatrale ‘Testamenti”, të Ferdinand Hysit. “U duhej një aktor i moshuar, ndaj më zgjodhën mua”, thotë me humor Ljarja. Në këtë intervistë ai flet për krizën e teatrit, filmin shqiptar dhe tema të tjera të rëndësishme për një artist.

Nga Skënder Minxhozi, JAVA

Si e shihni artin skenik në këtë 100-vjetor? Cili është opinioni juaj për gjendjen në të cilin ai ndodhet?

Teatri, si strukturë, ka dramaturgun, regjisorin, aktorët, skenën, sallën dhe spektatorët. Ne kemi skenë me sallë dhe aktorë që paguhen: teatrin kombëtar nga shteti, kurse të rretheve nga bashkitë. Dramaturgët janë jashtë kësaj skeme, por dramaturgët janë “mielli” i teatrit. Po s’pati miell, le të kesh furrë, madje ujë e kripë, por nuk ke bukë. Ministria organizon herë pas here konkurse për drama, por drama është gjinia më e vështirë e letërsisë. Ajo ka si specifikë skenën, gjuhën që tingëllon në gojën e aktorëve, dekorin, ndriçimin etj., etj.

Edhe sivjet u organizua një konkurs për 100-vjetorin, u dhanë edhe disa çmime. Më duket edhe se disa prej këtyre dramave po vihen në skenë. Të shohim cili do jetë rezultati. Në fakt, teatri është në një lloj stanjacioni edhe në vende të tjera, dhe arsyet dihen. Shfaqje të dobëta, bumi i televizionit, birra që kushton sa një biletë… Spektatori i teatrit (sepse çdo zhanër ka spektatorin e tij) në shumicën e rasteve ka vdekur dhe për arsye që nuk janë të teatrit, ai nuk është zëvendësuar. Do kohë që të krijohetnjë audiencë e re për këtë zhanër skenik. Sigurisht që mungesa e fondeve është një arsye. Mora vesh për shembull, se teatri i Gjirokastrës, pas një pune të gjatë me aktorët, nuk kishte fonde për dekorin dhe shfaqja u anulua. Gjynah për mundimin e atyre artistëve. Por edhe në këtë rast, kur ekziston vullneti, pasioni, dëshira e çmendur për të dalë në skenë, diçka mund të bëhet. Por, kur vë kushte “o dua kaq, o s’ka”, atëherë s’ka teatër, s’ka pasion. Ndoshta unë kam mbetur idealist i pandreqshëm, me këto që them.

Prej shumë vitesh flitet për krizën e filmit. Ku i shihni rrënjët e kësaj krize?

Filmi tani është vërtet një industri. Keni dëgjuar, për shembull, lajmet e Zërit të Amerikës? Një herë në javë aty ka një rubrikë enkas për Hollivudin. Nuk kam dëgjuar asnjëherë të bëjë vlerësime artistike, aty flitet vetëm për fitimet që nxjerr kjo industri. Ky film mori këtë javë kaq milionë dollarë, ky tjetri mori kaq fitime nga shfaqja në sallat e kinemave. Pra filmi është biznes dhe privilegj i shteteve të industrializuara.

Megjithatë, ka individë në botë që me një buxhet fare të vogël, bëjnë filma të mëdhenj. Mendoj që kjo e dyta vlen për ne. Por, thashethemet mes njerëzve të filmit, thonë se këto buxhete modeste ndahen me miq e të afërm, pavarësisht a bëjnë a s’bëjnë për këtë punë. Prandaj edhe filmat janë ata që janë, dhe do të vazhdojnë të jenë të tillë, për fat të keq.

Në çfarë raporti ndodhet artisti me kohën e sotme? Mendoni që artistët shqiptarë duhet të jenë më prezent në zhvillimet politike, sociale etj. që ndodhin në vend?

Artistë sot cilësohen shumë persona. Në qoftë se flasim për artistë të vërtetë, ma do mendja që ata janë shumë pak, duke përfshirë këtu edhe një pjesë të atyre që e kanë mbushur gjoksin me tituj. Këta artistë të vërtetë, në qoftë se e bëjnë punën e tyre ashtu siç dinë ata, të jeni të bindur se janë shumë më të angazhuar se shumë prej atyre që lehin (më falni për fjalën e rëndë) në TV, apo në forume, apo ndoshta edhe në parlament.

Një aspekt interesant që lidhet me një aktor kaq të njohur si ju, është ai i lidhjes, raportit që keni me karakteret që keni interpretuar? Për shembull, “Komisari i dritës”, “Dueli i heshtur”… Si i përjetoni sot këto role, kur shihni veten tuaj në ekran?

Po mbushen afro 50 vjet që është xhiruar “Komisari i dritës” dhe pas tij edhe “Dueli i heshtur”. Isha vetëm 23 vjeç atëherë. Oh, çfarë privilegji! Kanë kaluar pra 50 vjet dhe unë kudo ku kaloj, rrugës, në kafene, apo kudo ku janë njerëzit, vazhdojnë të më urojnë njësoj sikur filmi të ketë dalë dje. E çfarë duhet të them unë, “Poshtë komisari i dritës”?!

Sigurisht që të gjithë filmat janë një pjesë e jetës sime, ndoshta pjesa më e bukur. Por kjo s’është meritë vetëm e imja. Në të gjithë filmat janë skenaristët, regjisorët, operatorët, ndriçuesit dhe gjithë stafi, deri tek Lloni, punëtori i paharruar i sheshit të xhirimit. Të gjithë i falënderoj, me gjithë zemër, pavarësisht se një pjesë e tyre nuk jetojnë më. Ata i bënë filmat, me ato vlera, që edhe sot pas pesëdhjetë vjetësh, shihen me kënaqësi edhe me admirim. Spektatorët shohin aktorin, dhe atij i referohen, por nëpërmjet meje, jam i lumtur t’i uroj dhe t’i falënderoj të gjithë.

Në çfarë vendi jetojmë? Si e përshkruan Rikard Ljarja Shqipërinë në këtë 100-vjetor?

Njëqind vjet s’janë asgjë për një komb mbi tre mijë vjeçar. Duke qenë një popullsi e vogël, që është shtypur për mijëra vjet dhe nëpërkëmbur për shekuj të tërë, në shumë gjëra kemi ndërruar karakter, por thelbin për famën që kemi, e kemi ruajtur diku thellë. Kur jemi të besës, jemi deri në fund – sepse na kanë besuar. Kur jemi të pabesë, jemi deri në fund – sepse na kanë pabesuar. Racë e veçantë, pa miq, e futur si në një sandviç, e shtypur, e shtrydhur, por herë pas here ajo bërthama shpërthen dhe del ai i vërteti, i pastri. Ai që s’pranon të përdoret, ai që s’shitet e s’blihet sigurisht që e ka të vështirë. Shpesh bëhet i tepërt për zagarët që e rrethojnë dhe ndoshta edhe eliminohet, bëhet theror.

Rrethanat e përbotshme na kanë zhytur, na kanë bërë t’i hamë kokën njëri –tjetrit, shpesh herë. Kurse sot, për fat, jetojmë të lirë, në një shoqëri që po përpiqet të kapë kohën e humbur, që nuk është e pakët. Në një shoqëri që po përpiqet të mbyllë plagët e shumëvjeçarëve, që po kërkon të emancipohet. Jemi pak, por po fryn një erë e mirë. Po na ndihmojnë. Nga ana tjetër, të tjerë prapë përpiqen të na futin stërkëmbësha. E ndjej fort që po bashkohemi, në të gjithë kuptimet, po bëhemi më me dinjitet, si individë dhe si komb. Sepse, siç duket, nuk paskemi qenë pak./ 31 tetor 2012