
Rihapet tuneli i Llogarasë, pa pagesë deri në 15 shtator!
Dritare.net
Nga dita e nesërme, 24 maj, tuneli i Llogarasë do të hapet zyrtarisht për qarkullimin e automjeteve. Lajmi është bërë i ditur nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila theksoi rëndësinë strategjike të kësaj vepre infrastrukturore për zhvillimin e turizmit dhe lehtësimin e qarkullimit në jug të vendit.
Tuneli i Llogarasë pritet të shkurtojë ndjeshëm distancën dhe kohën e udhëtimit drejt bregdetit të jugut, një nga destinacionet më të frekuentuara gjatë sezonit veror. Qeveria ka vendosur që përdorimi i tunelit të jetë pa pagesë deri më 15 shtator, si një masë lehtësuese për qytetarët dhe turistët.
Megjithatë, Balluku sqaroi se kalimi do të jetë i ndaluar për mjetet e tonazhit të rëndë, për të garantuar sigurinë dhe ruajtjen e infrastrukturës.
Kjo është një ndër veprat më të rëndësishme të realizuara në kuadër të modernizimit të infrastrukturës rrugore dhe pritet të ketë një ndikim të ndjeshëm në zhvillimin ekonomik dhe turistik të jugut të Shqipërisë.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku: Duke nisur nga nesër, 24 maj, hapet për qarkullimin e automjeteve tuneli i Llogarasë. Vepra që shkurton distancën drejt bregdetit të jugut dhe që i shërben sezonit turistik.
Pa pagesë deri më 15 shtator. Ndalohet kalimi vetëm për mjetet e tonazhit të rëndë./~L.F-dritare.net
View this post on Instagram

















