Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Regjisori Gëzim Kame apel artistëve: Teatri i ri ishte amanet i Kadri Roshit, ndaj lëreni politikën, ajo godinë u ndërtua për 15 vjet

Regjisori Gëzim Kame apel artistëve: Teatri i ri ishte amanet i Kadri

“Nevoja për ndërtimin e njëTeatri të ri ka qenë një kërkesë ehershme e aktorëve dhe regjisorëve”, shprehet regjisori i njohur, Gëzim Kame, i cili e cilëson godinën e vjetër të Teatrit Kombëtar si të papërshtatshme, e ndërtuar që nga italianët si dopolavoro dhe për një jetëgjatësi 15 vjet. Në një intervistë për Report tv, Kame i bën thirrje komunitetit të artistëve që të lënë mënjanë politikën dhe për sa kohë që u bë stadiumi kombëtar, le të bëhet edhe një Teatëri ri Kombëtar.

Ai kujton se për kushtet e kësaj godine ankoheshin të gjithë artistët që nga Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, Ndrec Luca, Margarita Xhepa dhe që kërkuan që në kohën e komunizmit që të ndërtohej teatri i ri. Regjistori i njohur, i cili ka qenë edhe drejtor i këtij teatri, tregon edhe një moment kur mori premtimin plot zell nga ish-Presidenti Berisha në takimin me aktorët për rindërtimin e teatrit, por që mori aty për aty përgjigjen e ish-kryeministrit Meksi që po e shoqëronte: “Me çfarë do ta bëjmë, me paratë e Noc Rrokut, ku i ka paratë ai? Lëre mos e dëgjo atë”.

Si një nga momentet më të trishta të karrierës së tij kujton atë të vitit 2005, kur të madhit Sulejman Pitarka i ikin dritat teksa ishte në skenë, dhe ai, por edhe publiku, pritën për mëse 30 minuta mes errësirës dhe të ftohtit për të rinisur shfaqjen. Madje, në një moment Rajminda Bulku i çoi në errësirë edhe një batanije për t’u ngrohur, por që u refuzua vetëm për hir të respektit ndaj publikut nga Pitarka i madh. Kame thotë se aktualisht është duke punuar për një vepër të re, dhe pse jo, nuk e fsheh dëshirën që të jetë pikërisht ajo që të çelë edhe siparin e shfaqjeve të Teatrit të ri Kombëtar.

- Në këtë kohë ka lindur më shumë se kurrë debati për prishjen ose jo të Teatrit Kombëtar, dhe me rënien e mureve siç e pamë ishte ndoshta një kështjellë prej letre, pamë se disa aktorë u ndanë në qëndrimet e tyre. Disa ishin pro, disa ishin kundër, a mund të na jepni mendimin tuaj mbi këtë çështje, dhe nëse kujtoni ndonjë ngjarje, ndonjë episod në të kaluarën kur ka lindur nevoja, kur ka lindur diskutimi për një teatër të ri, me përfshirjen e politikës që ndau ndoshta edhe opinionin publik?
Kjo histori është shumë e lashtë. Unë po kap historikun e ndërtesës aktuale, që u shemb para 2-3 ditësh. Ajo si historik është shumë e thjeshtë. Ajo godinë është ndërtuar në 1938 si dopo lavoro, do të thotë një vend për argëtimin e ushtarakëve italianë me familjet e miqtë e tyre ku bëheshin koncerte, laheshin në pishinë, bëheshin mbrëmje vallëzimi. Ky ishte funksioni i saj. Gjithë ai korpus i madh në bulevard që është ndëttuar nga italianët në vitet ’30 është arkitekturë e jashtëzakonshme, që nga Bashkia e Tiranës, Ministria e Ekonomisë, Bujqësisë, Financës, Ministria e Brendshme, deri tek hotel Dajti, Universiteti Politeknik dhe deri te stadiumi “Qemal Stafa”. Ky ishte një kompleks i gjithi i ndërtuar me arkitekturë të jashtëzakonshme dhe me të vërtetë ato janë monument kulture për arkitekturën shqiptare. Ndërkohë që pas Bulevardit, në mënyrë të fshehur është ndërtuar kjo godinë që mbante emrin Teatri Kombëtar dhe funksioni i saj ishte për 15 vjet, unë flas nga kompetenca e një njeriu që është marrë me këtë punë, dhe është financuar nga Banka e Napolit, ku edhe sot mund të gjendet projekti i saj dhe gjithë dokumentacioni që është investuar. Ajo është bërë godinë për 15 vite. Do të thotë që jetëgjatësia e saj ishte deri në vitet ’52-’53 sipas arkitektëve që e kanë ndërtuar.
- Pra data e skadencës së Teatrit Kombëtar ka kaluar me të paktën 6 dekada?
Padyshim. Kjo është gjithë historia. Po të ishte se duhet të ishte një vepër e vërtetë me arkitekturë si ajo e atyre që përmenda më përpara, pse duhet të bëhej me atë material, me dru dhe pupulit, dhe çati llamarine. Pra ajo ka qenë një godinë provizore. Po të ishim pushtuar nga italianët, me siguri pas 15 viteve do të kishin bërë një godinë me të gjitha parametrat. E dyta ajo godinë nuk ka qenë në funksion të Teatrit Kombëtar, nuk u krijua për këtë qëllim. Pas qëllimit fillestar si dopo lavoro për ushtarët italiane, u kthye për gjyqet e komunizmit ndaj antikomunizmit të asaj kohe, dhe 1946 u kthye në Teatër Kombëtar. Dhe ky është teatri i parë kombëtar profesionist që u ndërtua në pushtetin e mbas luftës.

- Mbani mend dikë që mund të jetë dënuar brenda atyre mureve të teatrit?
Nuk ka rëndësi kjo. Dihen, janë të listuara. Ajo ka një histori konglomerate brenda, nuk është ndërtuar për Teatrin Kombëtar që të thuash këtu është Teatri Kombëtar dhe mbaroi. Pse nuk thuhet se po kujtohet për inaugurimin që iu bë në ’38-’39 për dopo lavoro, apo për gjyqe speciale që bëheshin në atë kohë pas çlirimit, etj. Pra është një godinë jashtë funksioneve. Kjo gjë na ka brejtur historikisht. Unë që kur kam qenë student, dhe shkolla ka qenë pranë teatrit, ankoheshin të gjithë artistët që nga Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Ndrec Luca, Margarita Xhepa, për kushtet mizerabël që kishte ky teatër. Kjo sepse pas çlirimit, pushteti i asaj kohe filloi gradualisht të ndërtojë Kinostudion, televizioniN shqiptar, Teatrin e Operas, Muzeun Kombëtar, Galerinë e Arteve, iu dha një nga mjediset me të bukura studentëve të arteve që ishte Akademia e Arteve, dhe i vetmi institucion që ngeli rrugëve si të thuash, në një barake, ishte Teatri Kombëtar. I dukej si fyerje të gjithë artistëve. Dhe që në vitet ’80 ka qenë një projekt, bile në mos gaboj ka qenë djali i Manush Myftiut, paskësh qenë arkitekt, unë atëherë e kam dëgjuar këtë që kishte bërë një projekt të Teatrit Kombëtar i cili nuk u ekzekutua kurrë. Mbas 1990 kërkesa e të gjithë artistëve ishte që na vjen turp që japim shfaqje këtu. Nuk ftonim dot një trupë të huaj, nga Europa, Ballkani apo më gjerë, nga vinte turp, ku t’i fusnim aty. Kështu që në oborrin e teatrit kjo ide filloi të marrë përmasë më të gjerë. Unë mbaj mend, që kam qenë i ftuar në ambasadën Bullgare në 1996, në grupin e njerëzve që ishim aty, ishte dhe presidenti i asaj kohe Sali Berisha dhe kryeministri Aleksandër Meksi dhe personalitete të tjera. Ndërkohë presidenti kalon pranë meje, njiheshim, na respekton shumë si artistë, më jep dorën, më pyet si je Gëzim? Dhe shfrytëzova rastin, i thashë: Çfarë do bëjmë me atë teatrin tonë? Do ta bëjmë, më tha. Do bëjmë një takim, e pyeta. Patjetër me tha, “edhe unë e mendoj që nuk rrihet në atë teatër”. Edhe iku, vazhdoi punën e tij. Ndjej pas shpatullave të mia një dorë që trokiste, kthej kokën dhe shoh kryeministrin e asaj kohe, Aleksandër Meksin. Më pyeti: Çfarë tha ai”. I thashë, “më tha që do ta bëjmë Teatrin Kombëtar” . “Me çfarë do ta bëjmë, me paratë e Noc Rrokut, ku i ka paratë ai. Lëre mos e dëgjo atë”, më tha. Kështu shprehimisht.

- Ndalemi pak te ky moment, presidenti i asaj kohe dhe kreu i ekzekutivit, e dinin dhe e pranonin që ishte nevoja për një teatër të ri modern për shkak të nevojave të artistëve. Pra z.Berisha të cilin e kemi parë në protestat e artistëve ka dhënë një tjetër version. Ai paska qenë përkrahësi numër një që në gjenezën e kësaj ideje 24 vite më përpara.
Minimalja ai mund të më thoshte, ik o Gëzim me gjithë teatrin, ose nuk e trazojmë teatrin. Por do ta bëjmë tha, në atë natyrën e tij euforike, dashamirësinë e tij, më ka thënë shprehimisht këtë gjë. Kjo më pëlqeu dhe më ngrohu. Më pas unë i thashë kolegëve të mi, që u thashë presidentit dhe kryeministrit, ndodhi kjo bisedë, dhe mbaj mend me Kadri Roshin, Ndriçim Xhepën, Yllka Mujon, Agim Qirjaqin, etj, bisedonim si të bëhej një teatër dinjitoz, dhe luftonim për shtëpinë tonë, ishim jashtë politikës totalisht. Në një moment të caktuar u bë rotacioni i pushtetit, dhe unë në atë kohë isha drejtor i Teatrit Kombëtar. Dhe me një grup artistësh, i kërkojmë këshilltarit të presidentit të asaj kohe, Rexhep Mjedani, ishte Preç Zogaj, dhe i kërkojmë një takim me presidentin. Ideja jonë ishte mos t’i shkojmë kryeministrit Fatos Nano për teatrin se nuk duam ta politizojmë, se ishte kryetari i PS, por duam që Teatri Kombëtar të jetë jashtë përpjekjeve politike.

- Që në lindjen e kësaj ideje donit që Teatri të mos përzihej me politikën?
Absolutisht, prandaj duke qenë mbi palët presidenti, i takon atij të ketë patronazhin për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar.

- E parashtruat këtë si nevojë emergjente të artistëve? Pa u ndikuar nga njëri krah, apo një tjetër?
Padyshim. Është i të gjithëve. Dhe na u mundësua takimi me Presidentin Rexhep Mejdani, ulemi në tavolinë siç ishim, me Kadri Roshin, Agim Qirjaqin, Yllka Mujon, edhe një artist tjetër shumë i nderuar dhe ia paraqitëm problemin. Ne u ngrohëm shumë, sepse ai e mori shumë seriozisht këtë gjë atëherë. Dhe gjëja e parë që bëri, pasi gati një jave thirri prapë në Presidencë një tryezë ku ishte ministrja e Kulturës e asaj kohe, Arta Dade, ishte kryetari bashkisë i asaj kohe, Bert Brojka, që ishte i partisë kundërshtare nga ajo që ishte në pushtet. Ishin disa biznesmenë, isha unë, Pirro Mani, dhe një grup njerëzish të zgjedhur për këtë problem. Dhe biseda përfundimtare ishte që duhet të krijojmë një fondacion për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Dhe u zgjodh Vehbi Velia kryetar i fondacionit, nënkryetar u zgjodha unë. E gjithë ideja ishte mos merrnim para nga shteti, se Presidenti nuk ka para. U prezantuam, pas ca kohësh u regjistrua ky fondacion në gjykatë. Zhvilluam një takim me biznesin në Tiranë në Teatrin Kombëtar, moderator ishte Mirush Kabashi. Erdhi dhe presidenti, dhe qeveria e Nanos me kryeministrin në krye. Dhe filluan biznesmenët të bënin dhurime për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar, dhe shuma atë natë ka vajtur 410 mijë dollarë, që u dhanë pa u ngacmuar pjesa jashtë Shqipërisë, ku Vehbi Veliaj duke ditur ndjeshmërinë e shqiptarëve në diasporë tha se mund të arrinim më shumë se aq. Dolëm në oborr dhe aty pamë që kishte një lloj përçarje mes presidentit dhe kryeministrit të asaj periudhe. Sepse teksa isha me presidentin, dëgjoja pas shpinës sime kryeministrin Nano që i thoshte drejtorit të Insigut, që kishte dhënë 100 mijë dollarë, “po ti paratë e satëme i ke që i jep ashtu pa më pyetur mua”. Kjo më befasoi. Aty ishte puna pastaj për protagonizëm. Pse teatri iu drejtua presidentit, dhe nuk mu drejtua mua që i kam paratë. Ndërsa ne nuk donim të përzienim shtetin, as politikën, as për para, e as për gjë.

- Mos ndoshta një paralele mund ta heqim edhe me situatën e sotme për shkak të protagonizmit. Domethënë edhe tani ndoshta po tentohet të shmanget ideja nga nevoja emergjente për një teatër të ri, dhe po kërkohet protagonizëm politik?
Kjo është tjetër gjë. Megjithatë aty në një linjë janë këto. Unë po flas për historikun si ka filluar kjo punë. Po atë vit, pas një muaj ishte festat e 28-29 nëntorit, dhe ishim në Pallatin e Brigadave, kur me thërret Fatos Nano, dhe thotë do ta ndërtoni teatrin, i thashë, po. Me pyeti sa kushton, i thashë parashikimet janë për 12 milionë dollarë. Mirë tha bëjmë një bast, nëse ju gjeni 12 milionë dollarë, do futem unë si shtet me 10 milionë dollarë. I thashë po e ke të humbur bastin, ne i nxjerrim shumë shpejt ato. Ai më dha dorën, e bëri si ata fëmijët, e preu bastin Agim Zajmi. Më tha e ke të humbur, dhe sigurisht e kisha të humbur, sepse ai nuk e dëshironte këtë gjë.

- Të gjithë artistët atëherë kanë qenë pro teatrit të ri, pro shembjes?
Absolutisht po.

- Është dëshira e artistëve....
Absolutisht po! Dhe të mos flasin tani për shpirtin e Kadriut e të artistëve të mëdhenj që kanë dhënë jetën atje e që quhet tokë e shenjtë sepse vetë ishte për së gjalli një nga ato shpirtrat e mëdhenj të atij teatri i cili kërkonte të iknim nga kjo barakë. Mbaj mend, kam vënë në 2005 “ Piata prej druri”, një shfaqje në TK, me Sulejman Pitarkën, ishte 81 vjeç. U fikën dritat në mes të sallës, ka qenë janar. Ai ishte në mes të skenës, ka ndenjur 30 minuta pa ardhur dritat, spektatori nuk lëvizte, ky ngeli vetëm në skenë. I çova në errësirë me Rajmonda Bulkun , I thashë çoji një batanije se atje fryn nga të katër anët. Ai thoshte, jo , më lër këtu, s’ ka gjë, se mund të hapen, se mos më gjejnë me batanije. Pra, në kushte mizerabël kanë punuar ata artistë atje.

- Mbani mend ndonjë thënie të atyre artistëve të asaj kohe, Rajmonda Bulkut, Kadri Roshit, Violeta Manushit për teatrin e ri, nevojën emergjente, të Mirush Kabashit që ju përmendët pak më parë dhe ndoshta disa nga ata artistë tani kanë dalë kundër..
Të mos flasin tani, tani është e politizuar, është tjetër gjë fare. Është tjetër gjë fare, nuk flitet më për teatër, tani flitet për një kauzë politike. Mua kjo më vjen keq , janë përçarë artistët e artit dramatik. Unë shikoja dje, pardje në demonstratë atje, si quhen këto, pankarta “ne jemi teatri”. Po mirë mor vëlla, nesër do ketë nevojë baleti për përkrahje, do dalim “Ne jemi baleti”?Ne jemi piktura, ne jemi ku di unë skulptura? Çfarë janë këto? Është një politizim i tejskajshëm. Teatri është si gjithë zanatet, profesionet e tjera. Ka një funksion shumë interesant, në komunikim direkt me publikun por ky popull ka nevoja të tjera. Unë jam, kam një jetë me teatrin, mua më vjen turp që të dalë primare sot në këtë kohë ideja e teatrit ku është ide e bukës. Më vjen shumë keq që njerëzit merren me teatrin. Pa teatër njerëzit jetojnë, pa bukë nuk jetojnë dot. Sot është një varfëri që mua më dhemb, gjithandej kur dëgjoj e shikoj. Unë jetoj këtu në fshat, i shoh njerëzit e mi rreth e qark se si mbijetojnë. E ka mendjen ky i Ibës këtu për teatrin?Po ai s’ ka ardhur kurrë në teatër, s’ jetoka dot pa teatër dhe bëhet kauzë teatri në Shqipëri? Për këtë më vjen mua turp që jam pjesë e këtij profesioni i cili është edhe një profesion pak për elitë. Nuk vdes shqiptari për teatër se nuk e ka në traditë.

- Keni ndonjë histori apo thënie të personaliteteve të teatrit të asaj kohe, që nga koha që drejtoni ju e më pas për idenë e teatrit të ri, ndërtimin, për nevojën?
Edi Rama në funksionin e ministrit të Kulturës ka ardhur me Kadri Roshin , prej krahu dhe ka mbledhur gjithë kolektivin e teatrit dhe ka thënë: Kur t’ I vijë koha, do e bëjmë, t’ i gjejmë lekët. Ajo sallë që u rrënua pardje quhej salla Kadri Roshi. Kadri Roshi ka qenë një ndër të parët që ka qenë për shembjen e këtij teatri se është turp. Nuk ishte për teatër kombëtar, nuk ishte për teatër more fare. Janë mjeshtra të mëdhenj ata që kanë bërë shfaqje atje, që nga Pirro Mani, Kujtim Spahivogli, Mihallaq Luarasi e Pandi Stillo, Drita Agolli e Sokrat Mio e shumë të tjerë. Janë madhështorë që në ato kushte të bësh shfaqje të mëdha, superprofesionale.

- Si iu duket projekti aktual i teatrit, prej asaj çka është prezantuar?
Mundet të qëndrojë shumë bukur. Unë për veten time jam natyre pak më klasike, do më pëlqente diçka klasike, ku di unë , edhe monumentet e disa artistë rreth e qark siç ka teatri I Molierit në Paris apo Budapest apo në shumë vende që kanë këtë klasicizmin e tyre për teatër nacional. Pastaj për teatër të Tiranës apo kështu…E dyta, kokëfortësia shqiptare është shumë e rëndë, është gati e sëmurë, nga të dyja palët. Çfarë mund të ndodhte? Për shembull, në kohën që kërkonin të bëhej teatri I ri, u ngritën disa variante: Mund të bëhej aty, të mbahej ai që është, të restaurohet dhe me 1 milionë dollar bëhej atje një restaurim I asaj, të hiqej pupuliti e të bëhej me shtylla betoni dhe tek Vëllezërit Frashëri të ndërtohej Tetari Kombëtar, përballë Piramidës, në bulevard bëhej një tetarë modern, I madh. Një nga variantet. Varianti tjetër ishte nëse nuk bëhet kjo, është e pamundur të bëhet kjo, aty ku është të bëhet një teatër kombëtar dhe prapë Tetari Kombëtar ngelet atje. Ç’ është kjo histori me fantazma? Muret e bëjnë historinë? Ç’ do me thënë kjo, nuk e imagjinoj dot . Këto janë secili është në llogoren e vet, nuk ndryshon dot, ky është një mentalitet shumë I ashpër shqiptar.

- Mendoni se edhe AMT është një nga këto llogore dhe nuk ndryshojnë qëndrim, për shkak të mentalitetit apo për shkak se ka hyrë politika në mes?
Kauza e tyre është vjedhur tani. Nuk dua t’ I gjykoj kolegët e mi, edhe ata I këshilloj të mos bien në këto ujëra. Gjykojnë ata kolegë të tyre, miq të tyre që janë kundër mendimit të tyre. Absolutisht. Nuk është I keqi dhe I miri, të ndarë në këtë mes, këtu është një ide. Ideja është hyhet në diskutim, kam unë të drejtë, ke edhe ti të drejtë. Po ku gjendet e drejta? E drejta gjendet tek ajo që duhet bërë dhe e bëjnë akademikët, e bëjnë forcat e mëdha intelektuale të një vendi, jo unë në llogoren time, tinë tënden! Kjo më vjen keq. Janë përçarë artistët, hera e parë në historinë e vendit që janë përçarë kaq keq. Ndërkohë që është një art kolektiv që kanë nevojë për njeri-tjetrin, nuk është si piktori që punon individualisht, merr penelin dhe telajo dhe punon vetëm, mbyllet atje. Është art kolektiv, kanë nevojë , është material për njeri-tjetrin, këta s’ flasin me gojë tani.Janë bërë armiq. Kjo më dhemb shumë përmoshën që kam, më vjen shumë keq të largohem nga kjo botë , të lë atë kolektiv aq të pastër, aq njerëzor! Ka më i mirë se Mond Budina? Është zotni , si njeri . Të tërë e duan, e duam. Njeri i jashtëzakonshëm. Ka idenë e tij, madje unë do thosha fikse siç e ka edhe dikush tjetër fikse! Nuk e gjejnë dot rrugën përtë biseduar? Kaq vështirë është?

- Mendoni se do jeni në një të ardhme të afërt pjesë e këtij projekti të materializuar shumë shpejt në një teatër të ri kombëtar dhe modern, të vendosni shfaqje?
Pa dyshim, nëse jam gjallë me kënaqësi të madhe, madje unë kam një vepër në dorë që do ishte shumë interesante pikërisht për këtë ide që thoni ju. Ishte një vepër që ka 6 personazhe të thyer në moshë dhe janë 6 aktorë që kanë dalë në pension, këta nuk janë, kanë edhe profesione të tjera, por që kanë dalë në pension dhe që vazhdojnë profesionin e tyre në mënyrë idealiste. Ishte shumë bukur të shihja Robert Ndrenikën atje, ku di unë Viktor Zhustin, Yllka Mujon atje, të shikoje Ahmet Pashën atje.

- Ndoshta mund t’u bënim edhe një ftesë publike direkte që një nga premierat e para të teatrit të ri të kishim edhekëtë kast të mrekullueshëm aktorësh që thoni?
A do jemi gjallë, ka një pikëpyetje të madhe! Ne nuk po luftojmë për veten tonë, ne e kemi mbaruar rrugën tonë, s’ kemi aspirate, ne kemi vetëm atë gëdanë e brendshme që sa jetojmë dhe kemi pak fuqi të punojmë për këtë punë. Nuk kemi ëndrra të mëdha ne, I kemi realizuar pak a shumë. Ka edhe të parealizuara por kjo do ishte një gjë e madhe shumë por nuk e arrijmë dot ne atë.Dhimbja është që , uroj që të mos përçahet më tej , lëreni politikën mënjanë, të bëjë punën e saj aty. Teatër, teatër. U rikonstruktua teatri i Korçës. Fierit, Shkodrës, TOB, u bë një stadium po lëre more të bëhet edhe Teatri Kombëtar!