Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama: Shqipëria po vendos rekorde në negociatat me BE

Rama: Shqipëria po vendos rekorde në negociatat me BE

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Shqipëria po shënon ritme rekord në procesin e negociatave me Bashkimin Europian, duke hapur pesë grupkapituj në vetëm 11 muaj. Rama theksoi se ky është një tregues i përkushtimit të qeverisë dhe i mbështetjes së institucioneve europiane.

“Kam shumë mirënjohje me të cilën dua të them disa fjalë duke nisur nga falënderimi për mbështetjen dhe për faktin që është mbajtur premtimi: kur japim rezultate, shpërblehemi. Sot çelëm një tjetër grupkapitull, që në fakt përbëjnë pesë në 11 muaj, dhe mesa di unë, ky është një rekord,” tha Rama.

Ai shtoi se synimi është hapja e kapitullit të fundit para mbylljes së vitit dhe theksoi se procesi nuk është vetëm një shpërblim formal, por një përpjekje e përditshme për të përmbushur standardet.

“E dimë që ka sfida dhe duhen bërë përpjekje, por nuk ka asnjë rrugë tjetër. Kjo është hera e parë në histori që ne zgjedhim lirisht me kë duam të martohemi. Në të shkuarën jemi martuar me detyrim me perandori të tjera, por sot jemi të lirë dhe kjo është perandoria pjesë e së cilës duam të jemi,” deklaroi Kryeministri.

Sipas Ramës, objektivi mbetet që Shqipëria të mbyllë negociatat deri në vitin 2027, duke ecur hap pas hapi drejt anëtarësimit në BE./L.F-dritare.net