Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama nderohet me Medaljen Presidenciale të Nderit në Izrael!

Rama nderohet me Medaljen Presidenciale të Nderit në Izrael!

Jeruzalem, Kryeministri Rama nderohet me Medaljen Presidenciale të Nderit të Izraelit

Rama nderohet me Medaljen Presidenciale të Nderit në Izrael!

Gjatë vizitës së tij në Izrael, Kryeministri Edi Rama u nderua me Medaljen Presidenciale të Nderit akorduar nga Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, një nderim shumë i posaçëm për personalitete të nivelit më të lartë, sic janë Barack Obama, Angela Merkel, Elie Wiesel, Henry Kissinger, Joe Biden, të cilët janë nderuar më parë me këtë medalje.

Rama nderohet me Medaljen Presidenciale të Nderit në Izrael!

Kryeministrit Rama iu dorëzua Medalja e Nderit në një ceremoni të posaçme, organizuar në Rezidencën Presidenciale në Jeruzalem, ku ai ishte i ftuar me bashkëshorten e tij, Linda Rama dhe delegacionin shqiptar që e shoqëron në këtë vizitë.

Rama nderohet me Medaljen Presidenciale të Nderit në Izrael!

Pas marrjes së Medaljes, Kryeministri Rama u shpreh se e konsideron atë, si nderimin e duhur për shembullin që shqiptarët i lanë botës, duke mos dorëzuar asnjë hebre të vetëm tek nazistët, si edhe për faktin domethënës se në Shqipëri s’ka vend për asnjë formë të urrejtjes fetare apo etnike, përfshirë edhe antisemitizmin.

Rama nderohet me Medaljen Presidenciale të Nderit në Izrael!

Presidenti i Izraelit Isaac Herzog: Është një nder kaq i madh t'ju uroj mirëseardhjen të dyve, ju kryeministri Edi Rama dhe zonjës Linda Rama, si dhe gjithë delegacionit tuaj në rezidencën presidenciale në Jeruzalem e t'ju jap ju zoti Kryeministër, Medaljen Presidenciale të Nderit të Izraelit, që është urdhri më i lartë civil i Izraelit.

Medalja Presidenciale e Nderit të Izraelit nderon ata si ju, që kanë ndriçuar botën me udhëheqjen e tyre të jashtëzakonshme, qartësinë morale dhe vlerat demokratike dhe ata që kanë dëshmuar miqësinë e tyre të guximshme me popullin hebre dhe shtetin e Izraelit.

Zoti Kryeministër, i dashur miku im Edi!

Kodi shqiptar i besës, betimi i shenjtë i nderit, mbrojtjes dhe integritetit ndihet mjaft i pranishëm në këtë holl. Besa ka udhëhequr kombin shqiptar dhe ka mbajtur pishtarin e dritës në emër të të gjithë njerëzimit në orët e tij më të errëta, gjatë Holokaustit.

Populli shqiptar ishte një simbol nderi dhe kuraje. Me kurajë ata iu dhanë strehë grave, burrave hebrenj, të cilët arratiseshin nga pjesë të tjera të Evropës dhe duke e bërë këtë, ndihmuan në mbrojtjen dhe ruajtjen e njerëzimit përballë krimeve më të mëdha midis qënieve njerëzore.

Kjo thirrje integriteti e nderi rrënjosur thellë në popullin tuaj, gjen jehonë fort në udhëheqjen tuaj sot, gjen jehonë në angazhimin tuaj ndaj tolerancës, humanizmit dhe drejtësisë sociale, gjen jehonë në qëndrimin tuaj të pakompromisë kundër antisemitizmit dhe urrejtjes.

Më duhet t'ju them se unë personalisht u mallëngjeva gjatë vizitës sime në Tiranë në shtator nga dhimbshuria juaj dhe dhurata prekëse për Idit Ohel, mamanë e Alon Ohel, i cili ende mbahet në bodrumet e Hamasit në shkelje të çdo parimi njerëzor dhe etik. Ne duhet ta kthejmë atë dhe çdo peng tjetër në shtëpi.

Zoti kryeministër, i dashur miku im Edi!

Si artist, ju keni aftësinë unike ta shihni botën, jo vetëm siç është, por siç mund të jetë dhe në këtë cilësi vizionare, kjo përbën shumë për kombin tuaj, edhe kaq shumë për lidhjet që kombet tona ndajnë aktualisht.

Lidhja jonë po thellohet në kaq shumë fusha dhe sfera. Fluturimi i ri i drejtpërdrejtë midis Tiranës dhe Tel Avivit po thjeshton shumë udhëtimin dhe po ndihmon shkëmbimin e drejtpërdrejtë.

Dua të përgëzoj Sundor Airline që e ka shtyrë përpara këtë zhvillim. Dua t'ju falenderoj personalisht, kryeministër që personalisht i mikpritët izraelitët, të cilët iu bashkuan fluturimit përurues me kaq ngrohtësi e bujari, saqë nuk ndalen së shkruari në WhatsApp, se sa e mrekullueshme ishte kjo gjë.

Dua të përgëzoj Qendrën Mjekësore Sheba dhe Qeverinë Shqiptare për nënshkrimin e marrëveshjes për të ngritur një projekt të përbashkët mjekësor në Shqipëri.

Dua t'ju falenderoj ju, i dashur Edi, dhe mikun tonë të dashur, profesor Yitshak Kreiss, që është drejtuesi ekzekutiv i Sheba-s për çuarjen e kësaj gjëje përpara.

Dua të përgëzoj të gjithë ata që janë mbledhur këtu për çuarjen përpara më tej të bashkëpunimit midis kombeve tona në mënyra kaq të rëndësishme. Sigurisht, vizioni i partneritetit dhe miqësisë sonë shkon përtej vetëm dy kombeve. Ai mishëron modelin e partneritetit midis etnive e besimeve fetare, e ja pse kemi me ne sot udhëheqës kaq të rëndësishëm fetarë, të cilët mund të ndihmojnë ta transformojnë Mesdheun Lindor nga një rajon konflikti, në një korridor bashkëpunimi e ndërlidhjeje, e në një model tolerante paqeje për Lindjen e Mesme, Europën e deri në Indi e më tej në Lindjen e largët në Azinë Juglindore e përtej.

Tradita hebreje na mëson se bota qëndron mbi tri shtylla të barabarta: Drejtësia, e Vërteta dhe Paqja.

Kombi juaj, i dashur Edi, duroi një diktaturë të tmerrshme për 50 vjet.

Është e jashtëzakonshme sesi u kthye në një demokraci energjike bazuar në drejtësi dhe të vërtetën që ju po e çoni përpara me kaq shumë sukses. Besoj po ashtu se këto vlera drejtësie së vërtetë e paqeje dhe sinergjia midis tyre, janë baza e udhëheqjes suaj dhe baza e miqësisë Shqipëri-Izrael, që ju keni ndihmuar të farkëtoni më tej.

Edhe njëherë, është nder dhe kënaqësia ime më e madhe që t'ju akordoj Medaljen Presidenciale të Nderit të Izraelit.

Së fundi, Të dashur miq, asnjë fjalë e asnjë takim, nuk mund të jetë i plotë këto ditë pa thirrjen urgjente për lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve tona, të cilët ndërsa flasim, torturohen, në këtë krim të neveritshëm dhe në vazhdimësi kundër njerëzimit, të gjithë ata, deri tek i fundit.

E mbyll me shpresën se miqësia midis kombeve tona do të mbetet një fanar vullneti të mirë gjatë këtyre kohërave sfiduese të vështira. Le të na kujtojë se zërat për dinjitet e kurajë janë gjithmonë të pranishëm dhe se një e ardhme e gjallë, e sigurt dhe e paqtë për popujt e rajonit tonë dhe të gjithë botës, është e mundur.

Kryeministri Edi Rama: Zoti President, e kam posaçërisht vështirë të gjej fjalët. Duke u përballur edhe me një surprizë të tillë, nuk kam një fjalë këtu me vete, kam vetëm disa pika diskutimi.

Kështu që do të përpiqem të them disa fjalë zemre, duke e filluar me një mendim shumë të sinqertë, që ky nder i jashtëzakonshëm nuk mund të jetë vetëm për mua, por e marr në emër të Shqipërisë, në emër të popullit shqiptar, e mbi të gjitha, në emër të të gjithë shqiptarëve myslimanë e të krishterë, të cilët vunë veten e jetët në rrezik gjatë orëve më të errëta të historisë moderne dhe e kthyen vendin tim në të vetmin vend në Europë që e mbylli Luftën e Dytë Botërore me më shumë hebrej sesa në fillim të saj.

Ndryshe nga vendet e tjera, Shqipëria u bë strehë për popullin hebre dhe ndryshe po kështu nga vendet e tjera, hebrejtë nuk largoheshin, por erdhën për të gjetur strehë, për të gjetur mbrojtje dhe për të qenë të sigurt. Nuk mundem të mos kujtoj këtu një prej shumë episodeve, të asaj faqeje të lavdishme të historisë sonë, kur të gjithë udhëheqësit fetarë u thirrën nga nazistët për të dhënë qasje për t'i dorëzuar arin shqiptar dhe listën e hebrejve dhe ata menjëherë thane: “Mund ta merrni floririn, po hebrenjtë janë tanët, do t'i mbrojmë”. Dhe ata nuk bashkëpunuan me nazistët dhe askush nuk e bëri këtë.

Ka dy hebrenj në listën e personave të internuar në Gjermani nga e gjithë bota, por nuk janë hebrenj në fakt. Janë dy shqiptarë që ishin djemtë e një familjeje shqiptare, që fshehu dy hebrenj dhe kur nazistët shkuan t'i merrnin, i vjetri i shtëpisë u tha, “prisni në derë”, sepse do t'ua dorëzonte, dhe u dorëzoi dy djemtë e tij, që përfunduan në Bergen-Belsen dhe nuk u kthyen kurrë, e nuk thanë kurrë që ata nuk ishin hebrenjtë që supozohej të mbronin.

Historia jonë e Luftës së Dytë Botërore është e mbushur me episode të tilla e në të njëjtën kohë është një dëshmi që unë e ruaj shumë fort në zemër për të gjithë brezin e ardhshëm që ka të bëjë me mbrojtjen e tjetrit, pavarësisht besimit të tij a të saj fetar. Dhe po, Shqipëria është një vend me shumicë myslimane, por kjo ishte një nga arsyet pse nazistët nuk mundën të mbërrinin tek hebrenjtë, sepse myslimanët ishin mburoja e tyre më e fortë.

Në përpjekje për të ndërtuar mbi këtë histori, ne bëjmë gjithçka mundemi që të ngrëmë zërin kundër antisemitizmit. Ne kemi miratuar të gjithë legjislacionin kundër antisemitizmit dhe kemi promovuar mësimin mbi Holokaustin hebre, duke integruar atë në kurrikulën tonë shkollore, sepse është bindja jonë e palëkundur që kjo s'ka të bëjë me hebrenjtë. Kjo ka të bëjë me humanizmin tone. Nga ana tjetër, ndërkohë që flasim, po ndërtojmë dy qendra hebreje; një muze hebre në Vlorë, aty ku ishin vendosur hebrenjtë, dhe një qendër kulturore hebreje në Tiranë, ku edhe njëherë historia e shpëtimit të hebrejve është e integruar, por në të njëjtën kohë duam t'i japim hapësirë së tashmes e së nesërmes, e duam që sa më shumë të jetë e mundur të kemi marrëdhënie me Izraelin dhe me popullin hebre, qysh nga niveli i turistëve që ju përmendet. Më vjen keq për ta, sepse fluturuan në Shqipëri më 2 prill. Iu ishte thënë më 1 prill dhe kryeministri iu dha një darkë dhe ata menduan që ishte një shaka nga Sundori. Nga ky nivel pra, deri tek niveli i shkencëtarëve tuaj të mrekullueshëm dhe njerëzve të mrekullueshëm të teknologjisë e industrive tuaja të mrekullueshme.

Dua ta përsëris këtu, që, ashtu siç ka qenë, jo vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, por tre herë në histori, - tokë ku hebrejtë gjetën strehë e mbrojtje, - Shqipëria do të jetë gjithmonë shtëpia juaj e dytë dhe ju do të jeni gjithmonë të mirëpritur në Shqipëri.

Ne shpresojmë fort që në këtë kohë të re, do të jemi në gjendje të ndërtojmë diçka, jo aq të jashtëzakonshme sa ç'bënë gjyshërit e gjyshet tona, por në të njëjtën frymë vëllazërimi e bashkëpunimi, dhe ne qëndrojmë të patundur krah Izraelit, në këtë moment të vështirë e të dhimbshëm, ku ende ka njerëz në bodrumet mesjetare të Hamasit.

Siç e kam thënë më parë, dua ta përsëris dhe tani, Shqipëria ka qenë gjithmonë mbështetëse e zgjidhjes me dy shtete, por në këndvështrimin tim e në këndvështrimin tonë, nuk ka zgjidhje me Hamasin aty dhe ndryshe nga ç'janë përpjekur të tjerët të thonë, Hamasi nuk është lëvizje rezistence. Hamasi janë nazistët e shekullit të ri.

Historia na ka mësuar se me nazistët nuk ka paqe, me nazistët nuk ka kompromis.

Duke ju uruar çdo të mirë juve, popullit të Izraelit, gjithë rajonit, e duke pritur me padurim të shoh paqen midis hebrejve dhe arabëve, mbetem vërtetë mirënjohës përgjithmonë, për këtë moment të jetës sime, që jam i sigurt, nuk e meritoj si person, por që jam i sigurt që të gjithë shqiptarët që kanë bërë diçka për hebrenjtë e meritonin këtë moment./E.P-dritare.net