Rama ironizon Berishën: Kam vite që s’i përmend as emrin!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ironizoi opozitën në takimin me banorët e njësisë 3, ku zhvilloi një dëgjesë për projektbuxhetin 2026. Një banor e pyeti mbi bonusin e fundvitit, duke i thënë se ‘tellalli’ Berisha thotë që s’do kenë rritje pensionesh.
Me ironi Rama i tha se përmendi një emër, të cilin ai prej vitesh nuk e përmend më, por merret me të vetëm gjatë fushatës. Rama tha se opozita është një kënetë e madhe, ku Berisha është bufi i madh.
“Merrem me të vetëm kur ka fushatë, se jam i detyruar se aty jemi në arenë dhe duhet me u marr, ndryshe as nuk e dëgjoj ca thotë, as nuk e llogaris, a është apo nuk është. Është një e keqe e madhe që nuk i është ndarë këtij vendi, ajo frymë. Është çështja tek një kënetë e madhe, ku ai është bufi i madh, por aty ca nuk ka. Fjalët që unë them dhe ne themi, njerëzit kanë të thjeshtë ti vërtetojnë, se kur ne themi që do jepet bonusi, njerëzit kanë mundësi ta vërtetojnë do jepet apo s’do jepet. Të njëjtin bonus do ta merrni edhe në dhjetor njësoj, nga 100-150 euro.
Dhjetori vjen për pak javë, do ta vërtetoni vetë dhje kur ta vërtetoni do kuptoni se kë duhet të dëgjoni e kë s’duhet të dëgjoni. Ju i dëgjoni të tërë se jeni të vëmendshëm, por shumë kush nuk e beson vërtetë, e kam thënë dhe më parë, unë nuk lexoj portale, marr herë pas herë, që mi çojnë këta që kam rreth e rrotull. Nuk kam lajme shqip në shtëpi, nuk shoh debate sepse jam në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit, ndjekim opinionin me anketat e brendshme që bëjmë. Për ata që kanë thënë se bonusi i dhjetorit do ndahet vitin tjetër, ja erdhi dhjetori dhe do shihni do merrni apo jo. Pastaj do dini vetë ç’të mendoni për ata që ju fusin xixat duke luajtur edhe më këto gjëra të jetës së përditshme që për ju kanë rëndësi të veçantë”, tha Rama.