Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama i përgjigjet opozitës: SHBA-të nuk i kanë ndaluar vizat për Shqipërinë

Rama i përgjigjet opozitës: SHBA-të nuk i kanë ndaluar vizat

Në episodin e dytë të sezonit të gjashtë të podkastit "Flasim", kryeministri Edi Rama sqaroi vendimin e Shteteve të Bashkuara për pezullimin e përkohshëm të vizave për 75 vende, përfshirë Shqipërinë.

Rama theksoi se ky pezullim prek vetëm vizat për lejet e punës dhe jo vizat studentore, turistike apo ato për biznes.

Ai shtoi se çdo raportim që pretendon se Amerika ka ndaluar vizat për Shqipërinë është i pavërtetë dhe një shembull dezinformimi ndaj opinionit publik.

Sipas kryeministrit, vendimi i Administratës Trump përfshin disa vende të Ballkanit, përfshirë Kosovën, dhe ka për qëllim të sigurojë respektimin e afateve për qëndrimin dhe punësimin në SHBA, jo të ndalojë vizat në përgjithësi.

Deklarata e plotë e kryeministrit Edi Rama:

"Dhe në fund, për kripë, jo për ëmbëlsirë, dua të them dy fjalë për ata që u hodhën përpjetë, ose më saktë, për ata që jetojnë të hedhur përpjetë dhe që, në përpjetësinë e tyre, i shtuan hedhjeve edhe një hedhje të radhës dhe të së njëjtës natyrë: dezinformim, çoroditje e opinionit publik, helmim i të gjithë atyre që kanë akoma fuqinë t’i dëgjojnë, duke thënë që Amerika i ndaloi vizat për Shqipërinë. Kjo është e pavërtetë!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndaluar vizat për Shqipërinë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administrata aktuale, nën orientimin e qartë prej kohësh të Presidentit Trump për politikën e re lidhur me emigracionin, ka vendosur që për 75 vende të botës, ndër të cilat edhe disa vende të Ballkanit, ku përfshihet edhe Kosova, të bëhet një pezullim i përkohshëm për sa i përket lejeve të punës në Shtetet e Bashkuara, jo vizave për në Amerikë, por lejeve të qëndrimit në Amerikë për punë, pasi për këtë kategori vendesh kanë vënë re fenomenin e marrjes së vizës për turizëm, marrjes së vizës për biznes dhe më pas të mosrespektimit të afateve, por të qëndrimit atje për të filluar një punë, dhe kjo është diçka që shkon në linjën krejt normale të politikës së re të Presidentit Trump dhe që nuk ka pikën e lidhjes me të gjitha ato që u thanë nga ata që hidhen përpjetë dhe që, përsëri, kur të bien në tokë, do të shohin se terreni mbi të cilin qëndrojnë është gjithmonë më i rrëshqitshëm.", thotë Rama./K.C/dritare.net