
Pse e lashë Gjermaninë, për Shqipërinë! Historia e kampionit të mundjes!
Dritare.net
Rubrika “Jeta ime” në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv sot i dedikohet një shqiptari të veçantë, nga atë të paktë që mendojnë se Shqipëria bëhet. Ilir Peposhi jetoi 16 vjet në Gjermani, ku punoi pa ndërprerje, por njëkohësisht për 13 vjet ishte trajner në sportin e mundjes. Ndonëse qëndroi 16 vjet në Gjermani, Iliri ëndrrat i shihte në Shqipëri. Asnjë ditë nuk iu largua nga mendja mendimi për t’u kthyer në Shqipëri. I mori disa vite kohë, ama një ditë u kthye. Ishte korrik i vitit 2006, kur vendosi ta lërë Gjermaninë me gjithë të mirat dhe të këqijat e saj, për Atdheun dhe ato para që fitoi nga puna i investoi të gjitha në vendin ku lindi dhe u rrit. Sot ai erdhi në emisionin Shqip, me mesazhin që emigrantët shqiptarë duhet të kthehen një orë e më parë në Atdhe, se Shqipëria bëhet po dite të punosh dhe t’i realizosh ëndrrat në vendin tënd.
“Unë kam afërsisht 17 vjet që jam rikthyer nga Gjermania. Jam larguar nga Shqipëria kur u hapën ambasadat në vitin 1990. Isha me ekipin kombëtar. Unë kam qenë mundës dhe disa herë kampion Shqipërie. Familja ime ishte e persekutuar nga sistemi komunist. Ndaj me zor e prisja largimin.
Për herë të parë jam shpallur kampion në moshën 16-vjeçare, në vitin 1985. me ekipin e kategorisë së parë. Pesha e parë 48 kg, dola kampion republike. Tani jetoj në Durrës.
Ishim bashkë 4 mundës të kombëtares që ikëm. Po bënim stërvitje te 21 Dhjetori, pamë shumë policë. Mësuam se ishin hapur ambasadat. Ishte një rast që e kemi pritur shumë. Shkuam në Gjermani. Rruga ishte e papërshkrueshme. Shkuam me trena. Ndalonim herë pas here dhe në çdo ndalesë na prisnin organizata, na jepnin ndihma. Ishim të habitur, pa punuar të na jepnin.
Kishim vështirësi sepse na vendosën të gjithë bashkë, në hotele të mëdha.
Dëshira ishte e madhe për t’u larguar nga aty, por duhet të plotësoja disa kritere. Ishte një fitore largimi nga aty. Fillova të punoja. E nisa në ndërtim fillimisht si ndihmës. Punoja shumë ndaj edhe fitoja. Megjithatë mendjen e kisha veç në Shqipëri. Nuk e mendoja që do të qëndroja gjithë jetën time atje. Gjërat nisën të ndryshonin në Shqipëri. Problemet nisën të zbehen. Në ‘92 u martova.
Më pas në Gjermani drejtoja një ekip mundjesh. Bëra bashkimin familjar, bëra dhe një vilë në Durrës. Kukësi ishte i vështirë, unë bëra një shtëpi atje, por ishte vend pa perspektivë, si një ishull i izoluar. Nuk kishte as rrugë, Kosova ishte e mbyllur. Kështu mendova të investoj në Durrës. Por çdo qindarkë që fitova e mendova ta investoj në Shqipëri dhe asnjë para në Gjermani. Kisha shumë besim që Shqipëria do të bëhet. Unë e shikoj më shumë të vështirë situatën në Gjermani se sa në Shqipëri. Mbase kjo vjen si pasojë që pjesa dërrmuese e atyre që janë problematikë, rinisë, kanë ikur. Por Shqipëria është vend i qetë. Gjermania nuk është kështu. Gjermania është e tmerrshme, vendet e zhvilluara janë shumë të egra. Ndaj vendosa të kthehem. Të gjithë më thoshin të paktën të rrije për fëmijët, por unë pikërisht për ta u ktheva. Fëmijët u shkolluan në fshat, ndërsa sot janë profesioniste. Sot punon në Gjermani për inteligjencën artificiale. Vajza e vogël ka fituar 3 herë olimpiadën informatike kombëtare të Shqipërisë. Çudi është po ajo është 15 vjeçe dhe punon për një kompani amerikane disa orë në javë.
Nuk doja që fëmijët e mi të rriteshin në Gjermani. Unë po punoja në një shkollë në Gjermani, në shkollë me gurë. Po punoja me skela rreth e rrotull për të mbushur kanalet që ishin hapur te gurët që rrethonin muret, ishte shkollë 8 vjeçare. Shikoja në dritare në orën e pushimit dhe shikoja që pjesa dërrmuese e nxënësve ulnin kokën duke marrë drogë. E tmerrshme mendova. Fëmijët e mi të vijnë këtu? Ndaj erdha. Mediat tona në rreth 85% të tyre janë kronika të zeza. Të kundërtën bën bota. Ata 5% japin lajme të këqija. Ne në familje nuk i ushqejmë të keqen për Shqipërinë. Ne u themi që emigracioni është i keq, Shqipëria është e mirë. Dhe fëmijët janë rritur me dashuri për vendin e tyre. Unë e kam parë emigracionin, atje je një skllav. Je i diskriminuar. Në mënyrë direkte apo indirekte. Gjermania ka shumë të huaj dhe i mban në presion.
Një shembull nëse ndodh që një gjerman të bëjë diçka të keqe, mediat e fshehin, nuk i japin zë në pasqyrimet e tyre. E anashkalojnë. Vjedh një shqiptar, mbushen gazetat. Kështu ndodh me çdo emigrant për t’i mbajtur nën trysni. Kjo është mënyrë psikologjike për t’i mbajtur nën trysni, sepse Gjermania jeton me emigrantët. Duhet të punojnë ata që të paguajnë taksat e vendi të zhvillohet,.
Nuk mendoj që të gjithë duan të kthehen. Por as nuk është e vërtetë që të gjithë duan të ikin. Ka një grup që shkon për të bërë para, kanë halle në Shqipëri, borxhe dhe atje mund ta mbledhësh lekun më shpejt. Një grup tjetër, nuk pranon fëmija të kthehen sepse kanë lindur atje. Një grup tjetër nuk e ka guximin dhe forcën të kthehen. Por unë u bëj thirrje atyre që e kanë një shtëpi këtu, dhe kanë fituar një kualifikim dhe kanë një profesion, të mos rrinë as edhe një ditë më tepër. Edhe në Shqipëri ka punë. Po flas për Tiranën dhe Durrësin, që e njoh. Nuk merr më shumë para atje. Edhe çmimet janë rritur. Në Shqipëri një metër katrorë pllakë të shtosh merr deri në 10 euro. Kush ka një profesion, ka një shtëpi këtu, ka vullnetin për punë, gabon që rri në emigracion.”, tha zoti Peposhi në DritareTv./K.C/dritare.net

















