Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

PS kërkon përjashtimin e 29 deputetëve të PD pas kaosit në Kuvend, mblidhet Etika!

PS kërkon përjashtimin e 29 deputetëve të PD pas kaosit

Komisoni i Etikës është mbledhur për të shqyrtuar kërkesat e paraqitura nga Partia Socialiste lidhur me marrjen e masave disiplinore ndaj 29 deputetëve të Partisë Demokratike. Të pranishëm janë të gjithë deputetët të cilët kërkohet përjashtimi.

PS ka kërkuar që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura, por deputetët e opozitës pretendojnë se po përjashtohen pa të drejtë dhe duan mbledhje me dyer të hapura.

Grupi Parlamentar socialist pretendon se veprimet e deputetëve të PD-së gjatë seancës plenare kanë qenë të mirëorganizuara dhe të koordinuara, duke cenuar zhvillimin normal të punimeve parlamentare.

Për Belind Këlliçin, Fidel Kreta, Albana Vokshi, Ledina Alolli dhe Denisa Vata kërkohet 60 ditë përjashtim nga aktivitetet parlamentare pasi kanë futur në parlament dhe kanë përdorur lëndë apo mjete piroteknike dhe tymuese, referuar këtu flakadanëve të ndezur në seancë. Deputetët Flamur Noka dhe Klevis Balliu janë përjashtuar gjatë seancës plenare pas kaosit që krijuan dhe gjuhës joparlamentare të përdorur. Ndaj tyre mazhoranca kërkon përjashtimin për 60 ditë.

Për deputeten Elda Hoti është kërkuar të përjashtohet me 30 ditë nga aktivitetet e Kuvendit pasi ka dëmtuar pajisjet e parlamentit, referuar shkuljes së mikrofonave dhe ka goditur punonjësit e Gardës, thuhet në kërkesën e PS-së. Gjithashtu për 30 ditë kërkohet dhe përjashtimi i Gazment Bardhit dhe Sali Berishës, për të cilët mazhoranca thotë se anë penguar zhvillimin e rregullt të seancës dhe kanë thyer Kodin e Sjelljes me gjuhën e përdorur.

PS ka kërkuar përjashtimin me 10 ditë të deputetëve Besart Xhaferri, Xhelal Mziu, Bledjon Nallbati, Luçiano Boçi dhe Saimir Korreshi pasi kanë penguar zhvillimin e rregullt të seancës, kanë shkaktuar kaos dhe kanë dhunuar punonjësit e Gardës.

Me 10 ditë kërkohet dhe përjashtimi i deputetëve Edi Paloka, Ina Zhupа, Klodiana Çapja, Oerd Bylykbashi, Enno Bozdo, Tomorr Alizoti, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Luan Baçi, Bledi Himçi, Greta Bardeli, Manjola Luku, Flamur Hoxha, Kliti Hoti, pasi kanë penguar zhvillimin e seancës parlamentare.