Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Propozimi i inxhinierit: Shqipëria ka nevojë për një institut të emergjencave natyrore!

Propozimi i inxhinierit: Shqipëria ka nevojë për një

Inxhinieri hidroteknik Dhimitër Vogli, i cili për 12 vite ka drejtuar Institutin e Studimit dhe Projektimit të Veprave të Bonifikimit, ka ngritur shqetësimin për mungesën e specialistëve në sektorin e ujërave dhe bonifikimit në Shqipëri, duke propozuar krijimin e një bërthame të re ekspertësh që të merret me identifikimin dhe zgjidhjen e problematikave ekzistuese.

Dritare TV ishte së bashku me zotin Vogli në godinën e ish-institutit, sot Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), në rrugën “Sami Frashëri” në Tiranë. Nga kjo godinë, ku ka punuar për më shumë se një dekadë, Vogli rikujtoi rolin kyç që institucioni ka pasur para viteve ’90 në projektimin dhe realizimin e veprave madhore të bonifikimit dhe ujitjes në vend.

“Unë kam drejtuar këtë institucion nga viti 1978 deri në vitin 1990. Ky institucion ka drejtuar të gjitha veprat e bonifikimit dhe ujitjes, kullimin, hidrovorët, digat, kanalet ujitëse, sistemimin e lumenjve dhe përrenjve, si dhe ekonomitë e peshkimit. Pra, gjithë problematikën e ujërave në vend, përveç ujësjellësve dhe hidrocentraleve,” u shpreh Vogli.

Sipas tij, veprat e ndërtuara në atë periudhë vazhdojnë t’i shërbejnë vendit edhe sot, çka dëshmon përkushtimin dhe përgjegjshmërinë e specialistëve të asaj kohe. Megjithatë, ai nënvizon se pas viteve ’90 nuk është ndërtuar asnjë vepër e re e rëndësishme për ujitjen dhe kullimin, ndërsa infrastruktura ekzistuese ka nevojë për mirëmbajtje dhe modernizim.

Vogli thekson se pikërisht mungesa e mirëmbajtjes dhe e ekspertizës së specializuar është një nga arsyet kryesore të përmbytjeve të shpeshta në vend.

“Me teknologjinë e sotme, këto vepra mund të përmirësohen dhe të funksionojnë më mirë, duke parandaluar përmbytjet dhe duke menaxhuar në mënyrë më efikase prurjet e ujërave,” tha ai.

Sipas inxhinierit hidroteknik, ngritja e një bërthame specialistësh ose e një njësie të posaçme teknike do t’i jepte zgjidhje konkrete problematikës së përmbytjeve, pasi do të mundësonte kontrollin, rehabilitimin dhe projektimin e duhur të veprave të kullimit, lumenjve dhe kanaleve.

Në përfundim, Dhimitër Vogli bën thirrje që institucionet përgjegjëse të rikthejnë vëmendjen te sektori i ujërave dhe bonifikimit, duke investuar në dije dhe ekspertizë profesionale, si një hap i domosdoshëm për mbrojtjen e tokës bujqësore, pronës dhe jetës së qytetarëve nga përmbytjet./L.F-dritare.net