Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Arratisja e Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit, kontrolle në Tiranë dhe 8 të arrestuar

Arratisja e Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit, kontrolle në

Altin Ndoci, i cili u arratis një ditë më parë nga Spitali Rajonal i Durrësit, dyshohet se fshihet në Tiranë. Policia ka zhvilluar kontrolle në disa zona të kryeqytetit, përfshirë Astirin, Don Boskon, Selitën dhe Yzberishtin, ku është kontrolluar edhe banesa e tij. Familjarët kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për vendndodhjen e tij. Kontrole janë kryer edhe në rrugën e Ndroqit, si një nga akset lidhëse mes Tiranës dhe Durrësit.

Në lidhje me arratisjen, tetë persona janë vënë në pranga. Mes tyre janë kryeinfermieri i Spitalit të Durrësit, Aulon Çuko, dhe zëvendësshefi i komanduar i policisë së burgut, Desdemon Pazaj. Të arrestuar janë gjithashtu pesë policët e shoqërimit Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baçi dhe Aranit Çela, si edhe shtetasja Violeta Uka.

Pamjet filmike të publikuara tregojnë se Ndoci ka zbritur nga ambulanca pa pranga dhe është shoqëruar drejt godinës së spitalit nga efektivët, në kundërshtim me rregulloren për persona me rrezikshmëri të lartë. Në një tjetër video, ai shihet duke u larguar me vrap nga ambientet e spitalit, mes automjeteve në parkim, për t’u zhdukur më pas pas një ndërtese, ku dyshohet se e priste një automjet tip “Audi”, me të cilin u arratis.

Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme, kur Altin Ndoci, i akuzuar për vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, po shoqërohej për një vizitë mjekësore. Sipas të dhënave, ai ka kërkuar të shkojë në tualet, ka goditur një efektiv dhe më pas është larguar me vrap, duke hipur në një automjet që e ka ndihmuar të largohet.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve konfirmoi arratisjen, duke sqaruar se Ndoci ishte shoqëruar nga strukturat e burgjeve dhe se ngjarja ka ndodhur brenda godinës së përshtatur për trajtimin e të burgosurve në spital. Megjithatë, rrethanat e plota të arratisjes mbeten ende të paqarta.

Altin Ndoci është i arrestuar që prej vitit 2020 dhe po gjykohet për disa vepra të rënda penale. Në tetor 2025, ai u dërgua për gjykim nga SPAK si pjesë e një organizate kriminale, ku akuzohen edhe vëllezërit Çopja, ndërsa është përmendur nga të penduarit e drejtësisë si i përfshirë në disa atentate kriminale./L.F-dritare.net