Na ndiqni edhe në

Shqip

Pse u përmbyt Mifoli? Ja gabimi në urën e re mbi Vjosë!

Pse u përmbyt Mifoli? Ja gabimi në urën e re mbi Vjosë!

Në një intervistë emisionin “Shqip nga Rudina Xhunga” në Dritare TV, inxhinieri i njohur hidroteknik Dhimitër Vogli ka hedhur dritë mbi shkaqet reale të përmbytjeve periodike që paralizojnë zona të tëra të Shqipërisë, nga Shkodra në Vlorë. Inxhinier Vogli flet për mënyrën se si investimet moderne në infrastrukturë po përkeqësojnë situatën e përmbytjeve. Vogli identifikon një problem strukturor në mënyrën se si po projektohen urat dhe rrugët nacionale në zonat fushore. Ai solli në vëmendje rastin e urave të reja mbi lumenjtë kryesorë, si Vjosa, ku konstruksionet e reja shpesh kanë hapësira drite (pjesa ku kalon uji) më të vogla se urat e vjetra apo se standardet e kërkuara hidraulike.



"Ura e re ka një problem, është me hapësirë drite më të vogël," shprehet Vogli, duke iu referuar zonës së Mifolit dhe urave të autostradave. Kur lumi vjen me prurje maksimale, këto ngushtime funksionojnë si diga artificiale, duke krijuar një efekt zmbrapsjeje që rrit nivelin e ujit në zonat e sipërme dhe shkakton përmbytje masive të tokave dhe banesave. Inxhinieri shpjegon se në të kaluarën, si në rastin e hekurudhës, lihej qëllimisht një zonë e gjerë kalimi për të përballuar vërshimet, një logjikë që duket se është harruar në projektet moderne.
Përveç urave, Vogli denoncon edhe ndërtimet pa leje në shtratin e lumenjve dhe në hapësirën midis argjinaturës dhe bregut të lumit. Ai thekson se legalizimi i këtyre ndërtimeve është një krim teknik dhe ligjor. Megjithatë, ai vë gishtin edhe te projektet shtetërore, si rrugët e ngritura mbi nivelin e fushës pa tombino të mjaftueshme, të cilat bllokojnë rrjedhjen natyrale të ujërave sipërfaqësore. Sipas Voglit, këto gabime nuk vijnë domosdoshmërish nga korrupsioni për të fituar para, por nga padija dhe mungesa e kompetencës profesionale. Ai thekson se projektuesit e sotëm shpesh nuk komunikojnë me njëri-tjetrin dhe nuk studiojnë historikun e zonës, duke çuar në vepra që, ndonëse duken bukur estetikisht, janë funksionalisht të dëmshme për sigurinë hidrike të vendit./dritare.net