Projekti/ Ja si do të transformohet Parku Arkeologjik Bylis-Klos
Dritare.net

Parku Arkeologjik i Bylisit dhe Klosit po hyn në një fazë të re zhvillimi, me qëllim për ta kthyer këtë pasuri të rrallë në një eksperiencë të plotë kulturore dhe turistike.

Projekti, i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe qeveria italiane, parashikon ngritjen e një Qendre të re Multifunksionale, hartimin e një Master Plani të pikave të interesit, si dhe përmirësimin e aksesit, parkimit dhe sigurisë në park.

Qendra Multifunksionale konceptohet si një hapësirë dinamike që ndërthur funksione muzeale dhe interpretimi, sallë për aktivitete kulturore, kënd informacioni, librari e suvenire, kafeteri, laborator konservimi dhe ambiente shërbimi për vizitorë e personel, duke e kthyer Bylisin dhe Klosin nga një sit arkeologjik në një eksperiencë të plotë kulturore, edukative dhe turistike.

"Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, në bashkëpunim me IKTK dhe partnerin ndërkombëtar AICS, synon jo vetëm konservimin e trashëgimisë, por edhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonës përmes turizmit dhe kërkimit shkencor.

Në mbledhjen e djeshme të KKTU u miratua Leja e Zhvillimit për projektin dhe investimin që pritet të fillojë së shpejti", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Turizmit./L.F-dritare.net