Presidenti Alfred Moisiu: Partia ime është Shqipëria!
Dritare.net

Në një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga në Dritare TV, ish-Presidenti Alfred Moisiu rikthehet pas në kohë për të treguar se çfarë e udhëhoqi gjatë mandatit të tij në një periudhë të trazuar politike, kur Shqipëria drejtohej nga dy figura të mëdha e kundërshtare si Fatos Nano dhe Sali Berisha.
Moisiu theksoi se çelësi i suksesit të tij në ruajtjen e paqes dhe ekuilibrave të brishtë politikë ishte parimi i vetëm për të cilin ai nuk lëvizi kurrë: Shqipëria mbi partitë.
“Partia ime është Shqipëria,” u shpreh zoti Moisiu duke shtuar se çdo vendim që merrte si President buronte nga interesi i vendit dhe i qytetarëve. Ai tregoi se ishte i vetëdijshëm se politika e asaj kohe ishte e polarizuar deri në ekstrem, por refuzoi të bënte lojëra politike apo të merrte anë, edhe kur presionet ishin të mëdha.
Moisiu foli edhe për marrëdhëniet me Fatos Nanon, duke theksuar se pavarësisht tensioneve politike, ai e kishte parë tek ish-kryeministri një vullnet të vërtetë për të mirën e Shqipërisë:
“Unë mendoj që e donte Shqipërinë… e pashë në veprim,” – tha ai.
Në intervistën për Dritare TV, ish-Presidenti nënvizoi se fryma e bashkimit dhe e përgjegjësisë shtetërore ishte ajo që e lejoi të qëndronte mbi konfliktet dhe të ruante stabilitetin institucional në një kohë kur vendi kishte nevojë jetike për të.
Deklarata e tij “Partia ime është Shqipëria” mbetet një nga mesazhet më të forta të intervistës – një kujtesë për rolin që duhet të ketë kreu i shtetit dhe për peshën e interesit kombëtar mbi çdo interes tjetër./L.F-dritare.net