
Pfizer dhe Moderna/ Çfarë dimë për 2 vaksinat që mund të na shpëtojnë nga pandemia!
Dritare.net
Nga Corriere della Sera
212 vaksina anti-Sars-CoV-2 janë duke u studiuar nga grupe kërkimore në të gjithë botën. Nga këto, 48 kanë arritur te provat klinike, por vetëm 11 janë në fazën e 3-të, ajo e fundit. Më në fund, dy i janë afruar vijës së finishit me të dhëna të shkëlqyera për efikasitetin dhe sigurinë. Vaksinat e zhvilluara nga Pfizer/BioNTech dhe Moderna janë bazuar në teknikën e dërguesit të ARN-së. Corriere ka botuar një dokument ku janë të renditura hapet që janë ndërmarrë dhe që duhen ndërmarrë në vijim.
Virusi
Sars-CoV-2 përbëhet nga një zarf lipoproteinor që përmban një ARN. Në sipërfaqen e saj ka proteina, përfshirë "spike" (ose proteina S). Kjo është përgjegjëse për mekanizmin kryesor që virusi përdor për të infektuar qelizat e synuara duke u lidhur me receptorin ACE2. Bllokimi i funksionimit të "spike" do të nënkuptojë parandalimin e virusit nga infektimi i qelizave, duke e bërë atë të padëmshëm.
Vaksinat në hetim mund të ndahen në 4 grupe:
1) ato që përdorin grimca virale të paaktivizuara Sars-CoV-2, potencialisht të afta të krijojnë imunitet. Të këtij lloji janë: një vaksinë e zhvilluar në Indi ("Covaxin" nga Bharat Biotech) dhe tri vaksina të zhvilluara në Kinë ("BBIBP-CorV" nga Instituti i Produkteve Biologjike të Pekinit, vaksina nga Sinovach Biotech dhe ajo e zhvilluar nga Institut i Produkteve Biologjike në Wuhan.”;
2) vaksinat që përdorin viruse të padëmshme, të modifikuara gjenetikisht. Këto janë adenoviruse që nuk janë në gjendje të replikohen te njerëzit dhe ku futet një pjesë e ARN-së që kodifikon proteinën "spike". Adenovirusi indukton prodhimin e proteinës "spike" në qelizat e infektuara dhe nxit reagimin e sistemit imunitar. Vaksinat e këtij lloji: "ChAdOx1" nga AstraZeneca, në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit dhe IRBM italiane; "GRAd-COV2" e ReiThera në bashkëpunim me Institutin Kombëtar për Sëmundjet Infektive Spallanzani; "Sputnik 5" nga Instituti Rus Gamaleya; Johnson & Johnson "Ad26COVs1"; "Ad5-nCov" nga CanSino Biologicals të Kinës;
3) vaksinat që përdorin direkt proteina spike të Sars-CoV-2, zakonisht në kombinim me një ndihmës: "NVX-CoV2373" nga Novavax (SHBA); "COVAX19" e Vaxine (Australi);
4) vaksinat që përdorin ARN-në që kodifikon proteinën "spike": ARN-ja mbrohet dhe bartet brenda qelizave njerëzore përmes mikrovesikleve lipide. Një avantazh i rëndësishëm i këtyre vaksinave mbi të tjerat është se ato mund të prodhohen shumë më shpejt. Këtu futen: "BNT162b2" nga Pfizer/BioNTech dhe "mRNA-1273" nga Moderna, të dyja vaksinat që kanë arritur në fazën përfundimtare, përcjell dritare.net
Reagimi imunitar
Një infeksion dhe çdo lloj vaksine stimulojnë reagimin e sistemit imunitar. Por reagimi mund të jetë i ndryshëm, si sasiore, ashtu edhe cilësore. Vaksina mund të stimulojë limfocitet B që prodhojnë antitrupa, një nëntip i limfociteve T (CD4 +) ose një tjetër nënlloj i limfociteve (CD8 +, i quajtur ndryshe CTL). Limfocitet B mund të prodhojnë shumë lloje antitrupash: ata që çaktivizojnë virusin dhe parandalojnë infektimin e qelizave (antitrupa neutralizues), ata që njohin qelizat e infektuara dhe favorizojnë vrasjen e tyre nga përbërësit e tjerë të sistemit imunitar ose antitrupat që njohin virusin por nuk veprojnë. Limfocitet CD4 +, që njohin virusin, mund të prodhojnë lloje të ndryshme citokinash (proteina që stimulojnë reagimin inflamator) dhe nxisin reagime të ndryshme ndaj virusit. Një reagim i mirë CD4 + favorizon stimulimin e limfociteve B dhe optimizon reagimin e antitrupave. Secila vaksinë mund të shkaktojë një reagim të qelizave B, CTL dhe CD4 +. Dhe çdo reagim mund të zgjasë me javë, muaj ose vite. Është ende e paqartë se cili reagim është më i mirë për të stimuluar.
Antitrupat neutralizues
Objektivat e vaksinës janë dy: të mbrojë subjektin nga infeksioni ose ndërlikimet e tij; të krijojë imunitetin e tufës, duke bllokuar transmetimin e virusit. Për të mbrojtur nga infeksioni, një vaksinë duhet të stimulojë një reagim të limfociteve B për të prodhuar antitrupa kundër Sars-CoV-2. Qasja më premtuese, të paktën në teori, është stimulimi i prodhimit të antitrupave neutralizues antispike. Ata parandalojnë hyrjen e virusit në qelizat e trupit. Për sa kohë që një subjekt prodhon antitrupa neutralizues, virusi që depozitohet në mukoza nuk mund të hyjë në qeliza dhe subjekti nuk sëmuret. Nëse antitrupat në gjak nuk po neutralizojnë, ose limfocitet B kanë ndaluar prodhimin, personi që bie në kontakt me virusin mund të mbrohet nga limfocitet CD8 + T apo edhe nga limfocitet B, të cilat fillojnë të prodhojnë përsëri antitrupa neutralizues. Megjithatë, këto mbrojtje mund të krijohen disa orë ose disa ditë me vonesë dhe ndërkohë personi mund të sëmuret. Në këtë rast personi i vaksinuar mund të sëmuret, por të mbrohet nga ndërlikimet që mund të dëmtojnë organet ose të çojnë në vdekje.
Bllokimi i qarkullimit
Imuniteti i tufës është një mekanizëm themelor për eliminimin e transmetimit të sëmundjeve infektive. Që një person të infektojë një tjetër, virusi ose bakteri duhet të jetë i pranishëm të paktën në një zonë (fyt-gojë-hundë-bronke, zorrë, organe gjenitale, lëkurë) dhe nga aty shkon te personi tjetër përmes piklave ose kontaktit të drejtpërdrejtë. Koncepti i imunitetit të tufës është i thjeshtë: nëse shumica e njerëzve vaksinohen, qarkullimi i një mikroorganizmi bllokohet sepse njerëzit e vaksinuar nuk e marrin virusin dhe përfaqësojnë një pengesë që mbron edhe të pavaksinuarit. Në fund të fundit një vaksinë mund të përcaktojë imunitetin e tufës ndaj Sars-CoV-2 nëse personat e vaksinuar nuk mbajnë virusin (d.m.th. subjekti i vaksinuar nuk bëhet transportues i shëndetshëm në rast kontakti me një subjekt të infektuar) dhe nëse efikasiteti i vaksinës është më shumë se 70-80%.
Sa zgjat imuniteti?
Ne e dimë që imuniteti i fituar pas një ftohjeje të shkaktuar nga një koronavirus tjetër nga Sars-CoV-2 zgjat më pak se një vit. Studimet e fazës 3 na tregojnë se disa vaksina prodhon një nivel të lartë të antitrupave neutralizues, më të lartë se ai që shihet te pacientët e sëmurë rëndë. Prandaj, nga ky këndvështrim, vaksinat Sars-CoV-2 duket se aktivizojnë sistemin imunitar më mirë se sëmundja. Nga ana tjetër, studimet janë bërë së fundmi, sa akoma nuk e dimë sa kohë antitrupat rrinë në trup. Nëse vaksina do të arrinte të krijonte një vit imunitet, do të ishte super mirë.
A do të jetë e sigurt vaksina?
Siguria e vaksinës paguhet në mënyrë të barabartë, me efikasitetin e saj. Testet klinike të fazës 1, 2 dhe 3 na lejojnë të shohim nëse vaksina funksionon dhe nëse përdorimi i saj sjell rreziqe. Nëse ka efekte serioze anësore te disa vullnetarë, nuk autorizohet shpërndarja. Kjo nuk do të thotë që vaksina nuk mund të shkaktojë efekte anësore, por këto janë të lehta ose të moderuara (irritime të vogla në vendin e injeksionit dhe ethe për disa ditë). Sa i përket efekteve serioze anësore, asnjë vaksinë nuk është 100% e sigurt, për shkak të ndryshimeve gjenetike brenda popullatës. Nga ana tjetër, efektet serioze anësore janë të pranishme te një përqindje jashtëzakonisht e vogël e popullsisë (normalisht një në një milion subjekte të vaksinuara, ose më pak).
Ka vende për dyshime
Sa për vaksinat Pfizer/BioNTech dhe Moderna, mbrojtja u referohet subjekteve të sapovaksinuara dhe për momentin, nuk e dimë nëse do të zgjasë me kalimin e kohës (një mbrojtje që zgjat një vit do të ishte interesante, por duhet të presim për ta zbuluar). Të dhënat u raportuan më pas në një konferencë për shtyp dhe jo përmes një publikimi shkencor. Pra, ka shumë pyetje pa përgjigje. Ne nuk e dimë nëse subjektet e vaksinuara që u sëmurën patën një sëmundjeje më pak të rëndë krahasuar me subjektet e pavaksinuara që u sëmurën. Ne as nuk e dimë nëse vaksina mbron të moshuarit dhe të rinjtë në mënyrë të barabartë. Edhe duke e ditur që shumica e subjekteve të vaksinuara janë të mbrojtura nga sëmundja, ne ende nuk e dimë nëse të vaksinuarit mund të bëhen bartës të shëndetshëm ose të kontribuojnë në krijimin e imunitetit të tufës. Pfizer ka njoftuar se të gjitha këto dyshime do të sqarohen përmes një publikimi shkencor, kështu që do të duhet të presim edhe disa javë për informacion më të hollësishëm./Përshtati: Kadrije Çako/dritare.net

















