Përplasje SHBA–BE: Aktivistë dhe ish-zyrtarë europianë shpallen të padëshiruar
Dritare.net

Dy aktivistë britanikë të njohur për fushatat kundër gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit online janë mes pesë personave të cilëve u është refuzuar viza për në Shtetet e Bashkuara. Administrata Trump i akuzon ata se kanë tentuar të ushtrojnë presion mbi platformat amerikane të teknologjisë për të kufizuar lirinë e shprehjes.
Bëhet fjalë për Imran Ahmed, drejtues i Qendrës për Luftën kundër Urrejtjes Dixhitale (CCDH), dhe Clare Melford, drejtoreshë ekzekutive e Indeksit Global të Dezinformimit (GDI). Të dy janë cilësuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit si “aktivistë radikalë”.
Në listën e personave të ndaluar përfshihet edhe ish-komisioneri europian Thierry Breton, arkitekt i Aktit të Shërbimeve Dixhitale të BE-së, si dhe dy drejtues të organizatës gjermane HateAid.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se këta individë janë pjesë e asaj që ai e quajti “kompleksi global i censurës”, duke theksuar se SHBA nuk do të lejojë ndërhyrje të huaja në lirinë e fjalës amerikane.
Vendimi ka shkaktuar reagime të forta në Evropë. Presidenti francez Emmanuel Macron e quajti masën “akt intimidimi”, ndërsa Komisioni Europian kërkoi sqarime zyrtare nga Uashingtoni, duke paralajmëruar reagim për mbrojtjen e sovranitetit rregullator të BE-së.
Organizatat e përfshira e kanë cilësuar ndalimin e vizave si një sulm autoritar ndaj lirisë së shprehjes dhe një përpjekje për të heshtur kritikët e administratës amerikane./L.F-dritare.net