Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Nga peshkarexhat në 1991, te intervistuesi i të rinjve që vijnë në Angli me gomone!

Nga peshkarexhat në 1991, te intervistuesi i të rinjve që

Letër drejtuar zonjës Rudina Xhunga

Nga Roland Lelaj

E dashur Rudina,

Dritarja juaj tashmë po bëhet pjesë e shumë shtëpive shqiptare jashtë dhe brenda vendit pikësëpari nga temat popullore që trajtoni deri te thjeshtësia dhe mençuria juaj për t'i dhënë hapësirë çdo njeriu të thjeshtë që të tregojë historinë e tij.

Unë e kam nisur odisenë time pikërisht në vitin 1988 në Krumë të Kukësit (zona nga e cila vijnë shumica e djemve të rinj shqiptarë që udhëtojnë me gomone për në Angli).

Atje punoja si agronom i lartë, ku më caktuan pasi mbarova studimet në Institutin e Lartë Bujqësor në Tiranë. Shumë nga familjet e djemve të rinj të Londrës i njoh qysh nga ajo kohë dhe jeta e solli që sot unë të punoj si përkthyes duke intervistuar me dhjetëra syresh sapo arrijnë në brigjet angleze apo më pas në hotele apo qendrat e paraburgimit.

Si shumë shqiptarë të tjerë në mars 1991, eksodi i parë i madh, arrita të hipi në njerën nga peshkarexhat e vjetra në portin e Durrësit së bashku me një shokun tim të ngushtë. Mes peripecive të shumta e rreziqeve të detit të egërsuar, pas rreth 20 orë lundrimi arritëm në brigjet e Puglias. Në portin e Brindizit ishin grumbulluar me mijëra shqiptarë të lagur e të cfilitur prej udhëtimit, por të rrethuar prej policisë dhe ushtrisë italiane. Meqë asgjë ishte e qartë për fatin tonë paskëtaj, nëse italianët do na mbanin apo hidhnin në det (kujtoni që në atë kohë ishim plot 25-27 mijë persona, të rritur e fëmijë, nëpër natë u arratisëm nga moli i Brindizit. Destinacioni në këmbë përgjatë autostradës drejt veriut të Italisë: Milano apo Torino. Brenda 24 orëve ne arritëm Barin, Milanon, Luganon, Zyrihun deri në kufirin Zvicër-Gjermani.

Vendosëm të qëndrojmë në Zvicër ku jetuam për rreth dy vjet…

Unë jam fjalëpakë e i ndrojtur dhe ndoshta detajet e këtyre peripecive janë përsëritur nga shumë parafolës të tjerë në emision. Secili emigrant ka historinë e tij të veçantë e me të papritura, por unë kam frikë nga përsëritjet.

Në vitin 1994 u ktheva përsëri në Itali ku krijova familje, lindëm dy djemtë tanë dhe kaluam dhjetë vjet me gëzime e hidhërime. Nga klandestinë për disa vjet rregulluam pozicionin tonë e bashkëshortja ime punoi si ndërmjetëse kulturore (mediatrice culturale) në kuesturën e Milanos, ndërsa unë punova për shtëpitë më të rëndësishme botuese italiane si Mondadori, Rizzoli, DeAgostini etj.

Në vitin 2004, pasi situata në Itali nuk ishte e kënaqshme, me pak trishtim e nostalgji, emigruam përsëri për në Kanada ku jetojmë e punojmë ende sot.

Rasti e solli që tani unë punoj si përkthyes me gojë (interpreter) prej disa vitesh e në punën time të përditshme një nga klientët kryesorë është edhe Home Office britanik (Ministria e Brendëshme dhe Emigracionit). Gati çdo ditë flas me djemtë që arrijnë në brigjet angleze dhe dëgjoj historitë e tyre të rrugëtimit nga fshati i lindjes deri këtu. Pra qarku i jetës u mbyll përsëri dhe më ktheu atje në Krumën e largët në verilindje të Shqipërisë ku ka shumë vlera e pasuri, bujq e blegtorë të mirë që largojnë bijtë e tyre drejt të panjohurës. Unë mund t'ju shpjegoj se ndryshe nga sa mund të mendohet e imagjinohet, ato zona janë kodrinore e të buta me një tokë të shkrifët e bujare ku mund të kultivohet çdo lloj kulture bujqësore e me rendiment. Mund të ngrihen bujtina e ferma të suksesshme e të tërhiqen turistët, shqiptarë e të huaj, për në bjeshkët e Tropojës, luginën e mrekullueshme të lumit Drin apo bjeshkët e Gjakovës të cilat ndodhen shumë pranë Hasit.

Faleminderit për kohën tuaj./dritare.net