Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nesër votohet në Kuvend për imunitetin! PD në protestë!

Nesër votohet në Kuvend për imunitetin! PD në protestë!

Seanca plenare e ditës së nesërme do të nisë me shqyrtimin e raporteve të PD dhe PS lidhur me kërkesën e SPAK për marrjen e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut. Raportet janë publikuar tashmë dhe në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë.

Partia Socialiste është shprehur kundër kërkesës së SPAK me argumentin se Belinda Balluku tashmë nuk ushtron asnjë funksion shtetëror, përveç asaj të deputetit, e për pasojë nuk mund të prishë provat, e as nuk mund të arratiset. Masa “Ndalimi i daljes jashtë vendit” është e mjaftueshme thotë PS, duke vijuar me argumentet se SPAK nuk ka paraqitur prova konkrete që justifikojnë kërkesën për arrestim.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike kërkon që Ballukut t’i hiqet imuniteti dhe t’i hapet rruga SPAK-ut për të ashpërsuar masën e sigurisë. Opozita i referohet provave që SPAK ka paraqitur në Këshillin e Imunitetit dhe të Mandateve ku flitet për rëndim të pozitës penale të Ballukut, për kërcënime dëshmitarësh e prishje të provave hetimore.

Sakaq, në të njëjtën ditë, PD ka thirrur një protestë të ambientet e jashtme të Parlamentit. Kreu i grupit parlamentar të opozitës, Gazment Bardhi, në një konferencë për shtyp, u shpreh se në rast se deputetët do të votojnë kundër heqjen së imunitetit për Ballukun, godina e Kuvendit do të konsiderohet mburojë për të korruptuarit dhe do të duhet të shembet, duke lënë këtu të nënkuptohet për trazira.

Ish-zv/kryeministrja dhe ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe është nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe. Ndaj saj rëndon akuza “shkelje e barazisë në tendera”.