Rritja e çmimit të naftës, Ibrahimaj: Nëse do ketë rritje të mëtejshme rikthejmë Bordin e Transparencës!
Dritare.net

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj pas mbledhjes së qeverisë foli për rritjen e çmimit të naftës, pas luftës në Lindjen e Mesme. Ministrja tha se përmes Task-Forcës së ngritur do të kontrollojnë tregun çdo ditë me qëllim që të mos ketë abuzime me çmimet.
Ministrja theksoi se situata nuk është në nivelin e ngritjes së Bordit të Transparencës, i cili kishte si detyrë edhe të caktonte çmimin dhe fitimin e kompanive. Por, Ibrahimaj paralajmëroi se nëse do të ketë abuzime dhe rritje të mëtejshme të çmimeve do të futemi në ‘regjimin’ e Bordit të Transparencës.
“Diskutuam për situatën ekonomike, për çmimet e karburanteve. Kemi zhvilluar një takim me kompanitë dhe Shoqatën e Hidrokarbureve. Për të ngritur alertin për rritjen e çmimeve javët e fundit, të ndikuar gjatë për luftën. Kemi diskutuar për detyrimin që kanë për rezervat. Jemi duke monitoruara, qoftë çmimet e brisës për naftën, benzinën dhe gazin, qoftë çmimin me të cilin karburanti del nga dogana, me çmimin e tabelave që shkon për tregtim. Gjatë krizës 2022-2023, kur çmimet u rritën, kemi pasur një bord transparence që monitoronte dhe vendoste për çmimet e shitjes. Gjykojmë që situata nuk është në nivelin e ngritjes së bordit, nëse do ketë rritje të mëtejshme do të futemi në atë regjim”, tha Ibrahimaj.