
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani: Ja cili është çelësi i një qyteti të lumtur!
Dritare.net
E ftuar në “U tha, u bë” në Dritare Tv, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani zbuloi disa nga “sekretet” e Fan Zone për këtë vit.
“Fan Zone” në fakt ka lindur në Kampionatin Evropian të vitit 2016 dhe është zhvilluar në sheshin “Nënë Tereza”. Ishte vera jonë e parë e administratës në qytet dhe për këdo që kishte udhëtuar e kuptonte sa me entuziazëm pritet Kampionati Evropian. Në Fan Zone-in e parë u pa sa interes kishte. Ne për herë të parë merrnim pjesë në atë kampionat dhe ishte shumë i bukur, emocionues. Pas asaj u transferuam në sheshin “Skënderbej” pasi u hap në vitin 2017".
Sipas nënkryetares Ristani, çelësi i një qyteti i lumtur është sa hapësira të përbashkëta krijojmë.
“Detyra e të krijuarit të mjediseve të përbashkëta, i takon administratës, politikës, është pjesë e atyre që janë vendimarrës. Këto hapësira të përbashkëta janë jo vetëm çelësi i qyteteve të lumtura, por edhe i qyteteve të shëndetshme”, tha Ristani.
Sipas nënkryetares së Bashkisë së Tiranës, nuk është bashkia ajo që bën aktivitetet, por ajo vetëm krijon hapësirat.
“Detyra e bashkisë është të krijojë hapësirat, vendet dhe mundësinë dhe pastaj e gjithë çështja është që organizata të caktuara të bëjnë gjëra dhe njerëzit të vijnë sepse ti e ke krijuar infrastrukturën e tillë”.
Teksa foli edhe për pjesëmarrjen e ambasadorëve në “Fan Zone” në kryeqytet.
Yuri Kim, Luigi Soreca, Elsa Hastad, etj, ajo theksoi se kanë një mesazh të qartë, argëtimi dhe që tregon se Tirana është e hapur, tregon se vizitorët janë të mirëpritur.
Në fund, zonja Ristani la një mesazh të veçantë në “U tha, u bë”.
"Asnjëri nuk duhet ta ndjejë veten si peng të faktit që duhet të rrijë patjetër në Shqipëri, duhet të qëndrojmë aty ku i bëjmë gjërat më mire”./M.M-dritare.net

















