
Nëna Dashuri: Fillimi ishte shumë i vështirë, jufkat i bëja me dorë pa mjete moderne!
Dritare.net
Në udhëtimin e Dritare TV drejt Lurës u ndalëm në agroturizmin e “Nëna Dashuri” në hyrje të Peshkopisë e cila na tregoi si nisi gjithçka.
Ajo tregoi se fillimi ishte shumë i vështirë dhe më shumë sakrifica pasi nuk kishte as mjetet moderne dhe gjithçka bëhej në mënyrë artizanale pra me dorë. Nëna Dashuri na tregoi se e donte vendin e saj dhe nga të 5 motrat dhe vëllezërit vetëm ajo nuk ishte larguar. Nuk e mohoi lodhjen dhe vështirësinë që qëndronte pas gjithë këtij rrugëtimi por ajo që e bënte të ecte përpara ishte dashuria për punën që i ishte rrënjosur që fëmijë.
"Dua të falenderoj shumë tim atë sepse na rriti me dashurinë për punën. Nënën e kam humbur në moshë të re dhe la tetë fëmijë për të cilët u kujdes me shumë përkushtim im atë. Një vëlla jeton në Amerikë, një motër e kam në Itali kurse të tjerët jetojnë në Tiranë, vetën unë jetoj këtu. Fillimi ka qenë shumë i vështirë, punën e kam nisur në fillim në mënyrë artizanale, duke i bërë jufkat me dorë si i bënin nënat dhe gjyshet tona dikur. Jufkat, turshitë, reçelrat bëheshin të gjitha me kushte tradicionale, pa makineri moderne. Shkollën nuk munda ta vazhdoja sepse u martova e re, vetëm 18 vjeçe por burri me mentalitetin dibran nuk kishte qejf që unë të vazhdoj shkollën", tregoi ajo.
“Shkollë nuk bëre, por ti vetë u bëre shkollë e agroturizmit dibran”, i tha Rudina Xhunga, Dashurisë, që menaxhon jo vetëm biznesin më të madh të jufkave në Dibër por dhe agroturizmin me tradicional të zonës./M.K/dritare.net

















