
Në zemër të Lombardisë, aty ku punon doktor Alban Beltoja!
Dritare.net
Kur mendon për pandeminë e Covid, teksa të dëshpëruar kërkonim informacion nga mjekët se çfarë po ndodhte e çfarë duhet të bënim, të vjen në mendje emri i Alban Beltosë, mjekut reanimator.
Ka qenë në çdo moment i gatshëm kur media dhe publiku e kërkonte pavarësisht punës së tij në spitalin e Lodit. Sot Dritare TV shkoi ta takojë në vendin e tij të punës, në spitalin e Lodit, në zemër të Lombardisë, ku ai punon prej vitesh.
"Covidi si qarkullim virusi, nuk ka mbaruar. E shohim ditë për ditë, ka raste positive. Ka pacientë, ka kolegë. Por nuk është më ai Covidi aq i tmerrshëm që njohëm në fillim, që i mbushi spitalet dhe që solli gjithë ato viktima e gjithë ato probleme. Faktikisht tani jemi në një fazë tjetër të covidit ku gjendemi të mbrojtur për shkak të një imunizimi nga vaksinat. Këtu 92% e popullsisë është e imunizuar dhe kanë marrë rreth tre vaksina. E njëjta gjë vlen edhe për mjekët, ku një pjesë e madhe e kolegëve e kanë kaluar edhe si sëmundje. E pamë vetë çdo të thotë të përballesh i pavaksinuar dhe i vaksinuar. Janë shumë shumë pak ata që janë të pavaksinuar, por e kanë kalaur covidin vetë dhe kanë imunitet.
Kjo është detyra jonë. Ne jemi këtu për t’iu shërbyer të gjithëve, edhe atyre që besojnë edhe atyre që nuk besojnë në numrin e njerëzve që humbën jetën nga Covid. Unë mirënjohjen e njerëzve e kam ndjerë dhe e ndjej gjithmonë. E kam ndjerë edhe kur nuk arrinin dot të thoshin një faleminderit. Unë u përpoqa me çfarë të mundesha t’u vija në ndihmë njerëzve të mi, kolegëve të mi. Nuk vura asnjë ndalesë në dijen time, isha aty dhe ndava gjithçka dija. Nuk dua të mendoj gjëra të tjera e as jam xheloz për atë që të tjerët mund të kenë përfituar gjatë kësaj kohe të vështirë. Unë thjeshtë kam bërë detyrën time. Atë që kam ndjerë”, u shpreh ai në Dritare TV./M.K/dritare.net

















