Mos provokoni opozitën! Bardhi në Kuvend: Të mbahet seancë urgjente për imunitetin e Ballukut
Dritare.net

Kuvendi ka nisur me debate për çështjen e Belinda Ballukut. Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi kërkoi që t’i hiqet imuniteti Belinda Ballukut, duke akuzuar mazhorancën se është kthyer në mburojë të saj dhe se kanë penguar SPAK.
"Duhet të mbahet seanca për heqjen e imunitet për Belinda Ballukun. E shtytë mbledhjen pasi të fliste Kushtetuesja. Na thatë që do presim vendimin e Kushtetueses. Për 2 muaj i mbushët kokën shqiptarëve se një zv.kryeministre nuk mund të pezullohet nga prokuroria. Pas vendimit të GJK thatë do presim. Për 2 muaj jeni bërë pengesë për heqjen e imunitetit. Ky Kuvend ka dështuar për 2 muaj që të përmbushë misionin për këtë çështje. Jeni i vetmi vend në botë që miratoni një ligj për të mbrojtur veten. Duhet të mblidhet me urgjencë heqja e imunitetit të Ballukut, t’i hapni rrugë SPAK-ut dhe çdo i akuzuar të jetë i barabartë para ligjit. Ishit ju që drejtësia e re do të duhet të bëjë punën e saj. Ditën që ju trokiti në derë, në paradhomën e Ramës, pastaj në oborrin e shtëpisë së tij me çështjen e AKSHIT, keni marrë sulm të paprecedentë, me veprime aktive për të penguar prokurorinë. Ose ky Kuvend do ta luftojë korrupsion, ose do ta shndërroni atë në bunker të korrupsionit. Mos provokoni opozitën, lejoni që Kuvendi të shqyrtojë në kohë misionin e vetë, për t’i hapu rrugë hetimit për akuzat që përfshijnë ¼ të buxhetit të shtetit", tha Bardhi.
Në seancën plenare të ditës së sotme, do të zgjidhen 5 anëtarët mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Në diskutim pritet të jenë edhe 6 projektligje të paraqitura nga opozita, ndërsa në fund pritet të miratohet edhe ligji i ndryshuar për funksionimin e AKSHI-t./L.F-dritare.net