
Mesazhi i gjuhëtarit: Mos u mburr me anglishten, por me shqipen!
Dritare.net
Futja e fjalëve të huaja në gjuhën shqipe, akademiku Gjovalin Shkurtaj e shikon një problematike të madhe. I ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV zoti Shkurtaj shprehet se me futjen e fjalëve të huaja po ndryshon dhe struktura e fjalisë, duke e bërë atë gjysmake edhe në kuptim.
Gjuhëtari e theksoi se shqiptarët e kanë pasur të nevojshme të përshtaten dhe të mësojnë gjuhë të huaja për shkak të mbijetesës, por kjo nuk duhet të ndikojë në ruajtjen e gjuhës shqipe.
“Duhet ta duam gjuhën shqipe, këtë element që na bashkon kudo jemi. Ajo që ka trajtuar para meje profesor Çabej, unë jam përpjekur modestish ta mbaj gjallë, ta çoj paksa edhe më përtej në lëndën e sociolinguistikës, është që gjuha ka dy elemente: Është gjuha e zemrës dhe gjuha e bukës. Shqiptarët për të ngrënë bukë kanë qenë dhe janë të detyruar të mësojnë gjuhët e huaja, të flasin dhe shkruajnë gjuhë të huaja. Por secili prej tyre ia ka ëndja të flasë shqip. Kam dëgjuar një ditë nga një emision që një zonjë nga Mirdita thoshte: “U kanë vënë cuve (djemve) emna të këqij”. Pra, populli në përgjithësi kur ka lindur djali apo vajza, u kanë vendosur emrat e gjyshërve me qëllim që të trashëgohen. Në lëndën e sociolinguistikës, një studente nga Korça më ka ndihmuar që këtë ta shikoj që është një traditë jo vetëm e Shkodrës, Malësisë por edhe e Jugut. Domethënë shqiptarët kanë pasur dëshirë ta ripërtërijnë emrin. Kështu janë ruajtur emrat e shqiptarëve.
Është një traditë jo vetëm e jona, por së fundmi tek ne po ndikon shumë fryma evropiane.
Pra, nuk besoj se duke i vënë një emër të huaj Kevin, ai do të bëhet patjetër si Kevin Costner. Problemi është të shfrytëzojmë Kevin-at tanë. Kur dëgjoj Saimir Pirgun që këndon nëpër skenat mbarë botërore un nuk ndjej kënaqësi vetëm se janë të famshëm, por dhe sepse kanë emra shqiptar dhe lartësojnë vendin nga ata vijnë. “Ne duhet ta themi fjalën shqip dhe ta mendojmë shqip. Kohët e fundit nën trysninë e përkthimeve dosido ka dhe një farë robërimi të mendimit duke bërë kalke. Për mua, përveç fjalëve të huaja të cilat hyjnë dhe mund të dalin, më të këqija janë kalket strukturore. Domethënë kur fjala është në shqip por është sipas një modeli të huaj. Për shembull, e tmerrshme është bërë kjo “share”, pra ndaj.
Dëgjoj të thonë thotë ndau mendimin, por mendimi nuk është as shegë, as shalqi që ta ndajmë me thikë. Shqip thuhet mbështes mendimin, pranoj mendimin, pra kjo është një marrje borxh e fjalëve të huaja pa nevojë. Ne mund të marrim terma, fjalë të politikës, ekonomisë, të elektronikës por dhe aty mund të bëjmë diçka. Për shembull, brezi i ri pas një gëzimi java u bë me 5 ditë punë dhe jo 6 i thonin fundjavës weekend. Të gjithë të dashuruar me weekend-in, mirë por çfarë ndodhi. Një ditë të bukur, filluan të përdornin fundjavë, pastaj iu bë edhe fundvit, domethënë zuri rrënjë fjala e thënë mbi bazën e një modeli të huaj por në gjuhën shqipe.
Kështu ndodhi edhe për fjalën e famshme pasword, të rinjtë tani po përdorin fjalën- fjalëkalim. Domethënë po të mendohemi pak më shumë si ta themi, do bëjmë mirë pasi fjala është edhe si orteku. Ato fjalë që themi ne sot, nëse janë fjalë të mira, zënë vend tek njerëzit e thjeshtë. Nëse janë thënë mbrapsht, ato mbrapsht do të qëndrojnë. Domethënë, kur del një term për herë të parë ka rëndësi si e përdorim. Nëse mundemi ta themi shqip, do të zërë vend siç e thotë i pari. Ndaj ndikoni që fjala të thuhet në shqip.”, tha gjuhëtari në DritareTV./K.C/dritare.net

















