
Mbahet sot Samiti i Komunitetit Politik. Liderët e Europës në Sheshin Skënderbej!
Dritare.net
Tirana mirëpret Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian, një ngjarje që zhvillohet për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor. Samiti do të mbahet në Sheshin Skënderbej, ku do të marrin pjesë liderët e 47 vendeve evropiane, së bashku me drejtuesit e institucioneve më të larta ndërkombëtare.
Mes tyre do të jenë kryeministri britanik Keir Starmer, i cili mbërriti një ditë më parë në kuadër të vizitës zyrtare, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, kreu i NATO-s Mark Rutte, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Rama ka pritur deri më tani në kryeministri dhe mbajti takim me kreun e NATO-s Mark Rutte, kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, ndërsa do të presë gjithashtu edhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen; Princin Sovran të Monakos Albertin II; Kancelarin e Austrisë Christian Stocker; Presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan; Kryeministren e Italisë Giorgia Meloni; Presidentin e Qipros Nikos Christodoulides; Kryeministrin e Hollandës Dick Schoof; Kryeministrin e Belgjikës Bart de Wever, si dhe do të mirëpresë me takime duarsh të gjithë liderët e ftuar në Samit me të cilët do të ketë edhe një foto familjare.
Samiti do të bashkëdrejtohet nga kryeministri Rama dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Tema e samitit është: “Evropa e re në një botë të re: Unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”, ndërsa diskutimet do të përqendrohen në tri tryeza të rrumbullakëta që do të trajtojnë çështje të sigurisë, konkurrencës ekonomike dhe fuqizimit të të rinjve, përballë sfidave si lufta në Ukrainë, mbrojtja evropiane dhe transformimi teknologjik.
Diskutimet e samitit do të strukturohen në tryeza të larta tematike:
Tryeza e parë do të fokusohet në sigurinë e Evropës dhe qëndrueshmërinë demokratike, duke trajtuar çështje të rëndësishme si mbështetja për Ukrainën në arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, si dhe sfida afatgjata si mbrojtja e institucioneve demokratike nga ndërhyrjet e huaja dhe përforcimi i kapaciteteve të mbrojtjes së përbashkët evropiane.
Tryeza e dytë do të trajtojë forcimin e konkurrueshmërisë dhe sigurisë ekonomike, me fokus në inovacionin, infrastrukturën digjitale, qëndrueshmërinë energjetike dhe autonominë strategjike për mbrojtjen e zinxhirëve kritikë të furnizimit dhe balancimin e objektivave klimatike me fuqinë industriale.
Sesioni i tretë do të fokusohet në dinamikat komplekse të migracionit, mobilitetit dhe fuqizimit të të rinjve, në një epokë të shënuar nga inteligjenca artificiale dhe përshpejtimi i ndryshimeve teknologjike.
Komuniteti Politik Evropian është një nismë e propozuar për herë të parë nga presidenti francez Emmanuel Macron gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian më 9 maj 2022, me qëllim nxitjen e dialogut politik dhe bashkëpunimit për çështje të interesit të përbashkët, si dhe forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe mirëqenies në kontinentin evropian.
Mbajtja e Samitit përfaqëson një moment me rëndësi historike si për Shqipërinë, ashtu edhe për rajonin në tërësi. Samiti i Tiranës zhvillohet gjithashtu në një moment vendimtar për Evropën, teksa kontinenti përballet me tensione në rritje në nivel global. Kërcënimet hibride, vështirësitë ekonomike dhe fragmentimi teknologjik po vënë në provë qëndrueshmërinë demokratike dhe nënvizojnë nevojën urgjente për një përgjigje më të koordinuar dhe të bashkuar evropiane.

















