Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Macron: Europa më në rrezik se kurrë që nga Lufta e Dytë Botërore

Macron: Europa më në rrezik se kurrë që nga Lufta e

Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar për një rritje të ndjeshme të buxhetit të mbrojtjes, duke theksuar se "liria e Europës" është nën kërcënimin më të madh që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Në një fjalim drejtuar forcave të armatosura në Paris, Macron tha se bota po kalon në një "moment vendimtar" për shkak të situatës komplekse gjeopolitike.

Ai propozoi rritjen e buxhetit të mbrojtjes me 3.5 miliardë euro vitin e ardhshëm dhe me 3 miliardë euro të tjera në vitin 2027. Me këtë ritëm, Franca synon të dyfishojë buxhetin ushtarak deri në vitin 2027, tre vite më herët se sa ishte planifikuar fillimisht. Në vitin 2017, buxheti i mbrojtjes ishte 32 miliardë euro, ndërsa do të arrijë në 64 miliardë euro pas dy vitesh.

“Për të qenë i lirë në këtë botë, duhet të jesh i frikshëm. Dhe për të qenë i frikshëm, duhet të jesh i fuqishëm,” deklaroi Macron.

Duke iu referuar kërcënimit nga Rusia, Macron dënoi politikat "imperialiste" dhe "fuqitë aneksuese", ndërkohë që luftimet në Ukrainë vazhdojnë që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022.

Presidenti francez theksoi rikthimin e fuqive bërthamore dhe përhapjen e konflikteve të mëdha, duke përmendur gjithashtu bombardimet e SHBA-së në Iran, tensionet mes Indisë dhe Pakistanit dhe qëndrimin jo të qëndrueshëm të SHBA-së ndaj ndihmës për Ukrainën.

Muajin e kaluar, vendet anëtare të NATO-s ranë dakord të rrisin shpenzimet vjetore të mbrojtjes në 5% të PBB-së, nga objektivi i mëparshëm prej 2%. Edhe Mbretëria e Bashkuar njoftoi rishikimin e politikës së saj të mbrojtjes, me ministrin britanik të Mbrojtjes John Healey që tha se kjo dërgon një "mesazh për në Moskë".

Ndërkohë, shefi i ushtrisë franceze, Thierry Burkhard, deklaroi se Rusia e sheh Francën si "armikun kryesor në Europë", duke e përshkruar Rusinë si një kërcënim "të qëndrueshëm" për kontinentin.

Kryeministri francez François Bayrou pritet të paraqesë buxhetin e vitit të ardhshëm të enjten./L.F-dritare.net