
Lizzy, përkthyesja amerikane e Pitilushes, ka një këshillë për mamatë e fëmijëve të vegjël!
Dritare.net
Elizabeth Grezda është përkthyesja amerikane e dy librave për fëmijë të gazetares Rudina Xhunga, “Përrallat e Pitilushes” dhe “Tregimet e Pitilushes” të cilat i shkroi bashkë me vajzën e saj Alana Hila.
Grezda tregon për emisionin “Vera me Athinanë” në Dritare TV eksperiencën e saj në përkthimin e Pitilushes. Ajo ua rekomandon të gjithë prindërve librat e Pitilushes, pasi fëmijët mund të mësojnë për tyre.
“Përkthimi i Pitilushes ka qenë një përvojë shumë e bukur. Zakonisht merrem me punimet akademike dhe kjo ishte përvoja e parë me një libër për fëmijë. Kam shumë dëshirë t’u jap mësim fëmijëve dhe të merrem me ta në aktivitete. Kështu që ka qenë shumë e bukur për mua. Është një përgjegjësi e shtuar ndaj gjërave që kam bërë, sepse më tepër jam marrë me gjëra shkencore akademike që janë më kollaj për t’u përkthyer. Kurse këto janë më me stil. Përkthimi i Pitilushes ishte më i ngadaltë si proces, sepse duhet të gjesh fjalët që janë tërheqëse. Duhet ta gjesh tamam fjalën që përshtatet, duhet më shumë të interpretosh sesa të përkthesh. Është më i vështirë, por dhe shumë i bukur. Nuk më është dashur shumë stres, sepse vetë shkrimi ishte i bukur.
Rudina është një mësuese, me këto libra mëson fëmijët. Edhe unë si prind mësova shumë duke lexuar sesi ta mësosh fëmijën me një histori. Kështu që unë i rekomandoj këto libra për çdo prind. Vajza ime e vogël i ka lexuar librat dhe i pëlqejnë shumë.”, tha përkthyesja Grezda./dritare.net

















