Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Lidershipi!

Lidershipi!

Nga Edi Rama!

Lidershipi është arti i përballjes nën trysni me historinë – aty ku karakteri dhe rrethanat ballafaqohen si dy brigjet e një lumi rëndom të trazuar e nganjëherë të tërbuar mes tyre; aty ku vendimet e marra në vetmi, shpesh si një zhytje në errësirë, ndikojnë e ndryshojnë fate njerëzish dhe vendesh, ndonjëherë për dekada, duke mundësuar kapërcime epokale.

Lidershipi është çasti i provës, kur një komunitet, një popull apo edhe një epokë e tërë shtrëngohet në një udhëkryq dhe lideri duhet të zgjedhë jo midis së mirës e së keqes, të mbuluara nga mjegulla e mëdyshjeve, por midis së vështirës dhe më të vështirës.

Ai është i sfiduar të ekuilibrojë vizionin transformues me sensin e realitetit, të gjejë pikën e pajtimit mes së mundshmes e së domosdoshmes dhe të mbajë në baraspeshë nevojën për të ndryshuar rendin e gjërave me detyrimin për ta mbrojtur atë nga kaosi.

Ky libër është një dhuratë bujare e njërit prej kolosëve më të mëdhenj të territoreve të historisë së politikës, i cili me një origjinalitet e thellësi të jashtëzakonshme, na flet për misterin e lidershipit dhe na rrëfen disa prerje krejt të ndryshme të tij. Ai na çon në skena ku strategjia e ringritjes nga hiri i një lufte botërore, fuqia morale e një njeriu në realitetin e pamëshirshëm të një shteti të nënshtruar, diplomacia si mjet për të hapur rrugë bashkëjetese me armiqtë natyralë, vizioni futuristik i një shteti-si-kompani mbi sipërfaqen e vogël të një qytet-kënetë, guximi i marrjes së një kthese strategjike buzë humnerës së historisë dhe vendosmëria për të ripërshtatur një shoqëri të tërë, marrin jetë nëpërmjet vendimeve të formësuara, me vizion e guxim të pazakonshëm nga individë të kthyer në zotërues situatash, ku arti i të menduarit afatgjatë dikton veprime të menjëhershme që duken si “vetëvrasje”, dhe ku e ardhmja lind pikërisht nga përplasja kokëfortë e karakterit të njeriut me rrethanat më kokëforta.

Për strategun e madh të Realpolitikës dhe autorin e këtyre rreshtave, lidershipi është një betejë e vazhdueshme, e brendshme dhe e jashtme, mes vizionit që e josh njeriun drejt së ardhmes dhe realitetit që mbahet lidhur pas së shkuarës; mes thirrjes së brendshme për të ndryshuar dhe rezistencës së jashtme nga ndryshimi; mes barrëmbajtjes së zgjedhjeve krejt personale dhe sëkëlldisë së madhe nga pesha e tyre mbi të tjerët.

Përmes gjashtë figurave të kalitura në dallgë nga më sfidueset, Henri Kisinger na nxit të reflektojmë mbi vlerën dhe çmimin e lidershipit. Në faqet e këtij libri nuk do të gjeni gjashtë portrete të idealizuara udhëheqësish botërorë, por do të kaloni nëpër një zinxhir rrëfimesh të gjalla për gjashtë njerëz të rrallë, të cilët kanë marrë vendime për jetë a vdekje dhe kanë ndërmarrë veprime që kanë formësuar botën duke hapur shtigje të panjohura.

Nga fuqia e përmbajtur e kancelarit të parë në Gjermaninë e rrënuar të pasluftës, te kuraja e papërmbajtur e gjeneralit Dë Gol për Francën e Lirë, e më tej vizioni strategjik i Presidentit Nikson për të hapur rrugët e paqes me armiqtë e betuar të SHBA-së, gjenialiteti i themeluesit të Singaporit modern Li Kuan Ju, trajektorja tragjike e ushtarakut të lartë Anuar Sadat, skifteri i luftës që u vra si pëllumb i paqes mes arabëve dhe izraelitëve, e deri te Zonja e Hekurt, Margaret Thaçer, e cila hodhi shinat e një transformimi epokal për Britaninë e Madhe, çdonjëri nga gjashtë kapitujt e këtij libri është një meditim mbresëlënës mbi fuqinë dhe vetminë e lidershipit.

Ky libër është për shumëkënd, po nuk është për ata që kërkojnë receta të gatshme apo kujtime nostalgjike, pavarësisht se autori i ruan në memorien e tij portretet e këtij libri, jo vetëm si personazhe të një historie të përbotshme, por edhe si persona me të cilët ka pasur fatin të bashkudhëtojë në rrugën e historisë.
Lidershipi i vërtetë nuk lind nga popullariteti dhe nuk ushqehet nga rehatia. Ai është aftësia për të ëndërruar atë që ende nuk ekziston dhe për të duruar vetminë e bartjes gjallë të asaj ëndrre derisa të tjerët të gjejnë sytë për ta parë. Lidershipi është forcë për të vepruar përtej dyshimit, për të ndërtuar në mes të zhurmës dhe për të qëndruar stoik përballë rrezikut të hapjes së tokës nën këmbë.

Për Shqipërinë, një vend që ka dalë nga hija e një historie të shkruar shpesh nga të tjerët, dhe për shqiptarët, sot një komb në ngjitje, ku çdo zgjedhje e sotme përcakton trajektoren e së nesërmes, reflektimet e këtij libri nuk janë assesi të largëta; ato janë të prekshme dhe madje, edhe të ngutshme.
Henry Kissinger flet shqip në një çast vendimtar për ne. Shqipëria qëndron përballë një maje që kërkon guxim, përkushtim dhe durim. Çdo vendim për Shqipërinë Europiane, çdo hap drejt Europës së Bashkuar si shoqëri, është një akt formësimi i së ardhmes. Në një botë që shpesh i shmanget kompleksitetit dhe përçmon kontekstin, lidershipi i së ardhmes kërkon aftësinë për të lexuar të padukshmen, për të parashikuar të paparashikueshmen dhe për të mbajtur busullën drejt kur horizonti errësohet. Mbi të gjitha, momentet e mëdha vijnë gjithmonë të mbështjella me rrezik, jo me siguri. Detyra jonë është t’i presim jo me frikë, por me vendosmëri strategjike dhe me guximin për ta bërë historinë tonë me dorën tonë.

Parathënie e librit "Lidershpi" i Henry Kissinger, shkruar nga Edi Rama