Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Çfarë tha vërtet ministrja Kumbaro dhe si u bë virale!

Çfarë tha vërtet ministrja Kumbaro dhe si u bë virale!

Në epokën e rrjeteve sociale, një fjali e shkëputur nga konteksti mjafton për t’u bërë virale. Kjo ndodhi edhe me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, pas fjalës së saj në takimin me ambasadorët shqiptarë.

Nëpër platforma sociale, përfshirë edhe llogari të politikanëve si Berisha, fjala e saj u përhap me titujt: “Spanja kishte vetëm 100 vizitorë pesë vite më parë”. E gjitha u shoqërua me valë sulmesh, por realiteti ishte krejt tjetër.

Ministrja Kumbaro u ndal tek rritja e jashtëzakonshme e numrit të turistëve spanjollë në Shqipëri, një treg i ri që deri para pak vitesh ishte pothuajse i panjohur.

“Spanja ka qenë një vend që deri para pesë vitesh, kishte turistë (në Shqipëri) që nuk e di i arrinin 100 apo jo. Në vitin 2024 numëroi 110 mijë vizitorë”, u shpreh ajo.

Pra, bëhej fjalë për vizitorë spanjollë që vinin në Shqipëri, jo për turistë në Spanjë. Lapsusi i thjeshtë në renditjen e fjalëve u interpretua si gafë, duke zbehur mesazhin real dhe lajmin e mire për turizmin, se si Shqipëria është kthyer në një prej desticaioneve më të preferuara të spanjollëve.

“Po ju jap një shembull. Shqipëria po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për spanjollët, aq sa bizneset lokale në Gjirokastër tashmë po mësojnë spanjisht për t’i shërbyer më mirë këtij fluksi të ri. Sepse spanjollët që vijnë në Shqipëri, janë ambasadorët tanë në vendin e tyre. Spanjollët vijnë këtu kënaqen, nxisin të tjerë e kështu me radhë”.

Si u shndërrua në virale!

Një fragment i shkëputur nga fjalimi u shpërnda i shoqëruar me humor e ironi, duke humbur kuptimin e mesazhit kryesor. Ky është një shembull tipik sesi rrjetet sociale amplifikojnë keqkuptime të vogla, duke bërë të shfrytëzohen më pas si sulme politike.

Rasti i Kumbaros është dukshëm i tillë. Ai tregon se si fjalia e shkëputur nga konteksti mund të përdoret për të ndërtuar një narrativë të pavërtetë.

Në fakt, ministrja nuk ka arsye të mburret me Spanjën, sepse ka plot pse të mburret me Shqipërinë!/dritare.net