
Alesia Balliu: Unë, ministre e qeverisë Rama 4!
Dritare.net
E ftuar në emisionin “Dekalog” të Roland Qafokut në DritareTV, politikania Alesia Balliu u përball me një pyetje provokuese. Gazetari Qafoku e pyeti se çfarë do të ndodhte nëse nesër, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste të Shqipërisë, kryeministri Edi Rama do të lexonte emrin e saj si ministre të kabinetit qeveritar Rama 4.
Balliu fillimisht u shpreh skeptike se një gjë e tillë mund të ndodhë, duke kujtuar qëndrimet e saj kritike ndaj kryeministrit. “Unë nuk mendoj se një gjë e tillë mund të ndodhë. Arsyeja e vetme është sepse unë kam qenë një nga zërat më kritikë ndaj Ramës. Ai nuk do të më përfshinte kurrë. Madje, për të më përjashtuar, do të gjente çdo arsye.”, tha ajo, por shtoi se Rama ka emëruar edhe figura të dalë nga radhët e opozitës dhe kjo nuk është çudi.
Megjithatë, e pyetur nga Qafoku se çfarë do të bënte nëse emri i saj lexohej si ministre, Alesia Balliu u përgjigj:
“Unë në politikë kam hyrë për t’i shërbyer popullit tim, jo për t’i shërbyer qeverisë apo interesave politike. Çfarëdo detyre që të më jepej, pa diskutim do t’i shërbeja popullit. Ku ka më mirë sesa të bësh opozitë nga brenda. Shteti shqiptar nuk i përket Ramës, i përket shqiptarëve. Pa diskutim, çdo detyrë që jepet nga shteti, jepet për t’i shërbyer komunitetit, për t’i shërbyer popullit, për t’i shërbyer shqiptarëve.”/K.C/dritare.net

















