Qeveria ankimon çështjen Balluku, Kushtetuesja vendos
Dritare.net

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kalojë për seancë plenare ankimin e qeverisë lidhur me pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, e cila ushtronte funksionin e ministres dhe zv.kryeministres. Aktualisht, treshja e gjyqtarëve po shqyrton kërkesën paraprake të qeverisë për pezullimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Po sot, Balluku ka ankimuar në GJKKO dy masa sigurie të vendosura ndaj saj: pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë shtetit. Ajo është e pandehur për shkelje në tenderin e Llogarasë dhe nën hetim për lotin 4 të Unazës së Madhe.
Qeveria, përmes kryeministrit Edi Rama, kërkon që Gjykata Kushtetuese të zgjidhë mosmarrëveshjen e kompetencave mes saj dhe GJKKO-së dhe të shfuqizojë vendimin për pezullimin nga detyra. Ankesa bazohet kryesisht te parashikimi kushtetues që anëtari i qeverisë gëzon imunitetin e deputetit, duke argumentuar se nuk mund të vendoset pezullim gjyqësor ndaj një ministri.
Kryeministri Rama ka theksuar se ky proces nuk ka të bëjë me emrin e Ballukut, por është një betejë institucionale për mbrojtjen e ndarjes së pushteteve.
Balluku u pezullua nga Gjykata e Posaçme si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe iu ndalua dalja jashtë vendit, ndërsa SPAK vijon hetimet për procedurat e tenderimit, ku dyshohet se fituesit janë paracaktuar.