Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kushtetuesja sërish pa vendim për “Ballukun”, shtyhet çështja

Kushtetuesja sërish pa vendim për “Ballukun”, shtyhet

Gjykata Kushtetuese nuk ka arritur për herë të dytë të marrë një vendim për ankimin e Këshillit të Ministrave lidhur me çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke shtyrë edhe një herë shqyrtimin e saj.

Mbledhja në dhomë këshillimi, e zhvilluar këtë të martë, nuk prodhoi një vendimmarrje përfundimtare, ndërsa trupa e gjyqtarëve kushtetues ka vendosur të marrë më shumë kohë për t’u shprehur mbi konfliktin e kompetencave mes Këshillit të Ministrave dhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Në qendër të këtij konflikti qëndron pyetja nëse një anëtar i qeverisë mund të pezullohet nga detyra gjatë një hetimi penal, një çështje me peshë të dyfishtë, juridike dhe politike. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në veprimtarinë e Kuvendit dhe të Këshillit të Mandateve dhe Rregullores.

Sipas afateve ligjore, Gjykata Kushtetuese ka 30 ditë për të dhënë një vendim përfundimtar, afat që përfundon më 22 shkurt.

Shtyrja e vendimit ka sjellë si pasojë edhe bllokimin e mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Rregullores në Kuvend, i cili duhet të shqyrtojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Pa një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, mazhoranca socialiste nuk pritet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm në këtë proces./L.F-dritare.net