Kush është 18 vjeçarja që humbi jetën në aksident te Ura e Dajlanit!
Dritare.net

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e 15 janarit në Durrës, në zonën e njohur si Ura e Dajlanit, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga ura, duke shkaktuar pasoja fatale.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:15, kur një automjet tip BMW X5, i drejtuar nga 26vjeçari Arbër Xhaxhaj ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar poshtë urës. Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën pasagjerja 18-vjeçare, Vikena Greku.
Sipas të dhënave paraprake drejtuesi i mjetit, Arbër Xhaxhaj, ka qenë në gjendje të dehur dhe po lëvizte me një shpejtësi rreth 130 km/h. Dyshohet se në zonën e Urës së Dajlanit ai ka ngatërruar korsinë, duke marrë drejtimin e portit në vend të asaj të plazhit. Automjeti ka goditur trafikndarësen dhe më pas ka fluturuar mbi bordurën e urës, duke përfunduar në një biznes lulesh poshtë saj.
Nga aksidenti kanë mbetur të dëmtuar edhe dy këmbësorë, të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën./L.F-dritare.net